Trump dhe Putin “miq” tek Orban, reagon Moska: Ka ende çështje pa zgjidhur para takimit të dy presidentëve në Hungari

18/10/2025 12:02

Bisedimet diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus kanë ngecur që pas samitit të Alaskës.

Kremlini tha të premten se “shumë çështje” duhen zgjidhur përpara se Putini dhe Trumpi të takohen, përfshirë përbërjen e ekipeve negociatore.

Por Moska hodhi poshtë sugjerimet se Putini do të kishte vështirësi të udhëtonte përmes hapësirës ajrore evropiane. Hungaria deklaroi se do të sigurojë hyrjen e Putinit dhe do të garantojë “bisedime të suksesshme” me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte.

Që nga fillimi i mandatit të dytë, qëndrimi i Trumpit për luftën në Ukrainë ka ndryshuar ndjeshëm herë pas here.

Fillimisht, Trump dhe Putin patën kontakte të ngrohta, ndërsa presidenti amerikan e quajti Zelensky-n “diktator pa zgjedhje.”

Tensionet kulmuan në shkurt, kur Trump e akuzoi homologun ukrainas se “nuk kishte letrat fituese” gjatë një takimi të ashpër në Zyrën Ovale. Që atëherë, marrëdhëniet mes tyre janë përmirësuar, ndërsa Trump ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit.

Megjithatë, Trump ka mbajtur hapur kanalin e komunikimit me liderin rus, duke thënë se “kuptohen mirë.”

Ai ka ndryshuar disa herë qëndrim për sanksionet dhe masat ndaj Moskës pas telefonatave me Putinin.

Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke e quajtur “operacion ushtarak special” për ta demilitarizuar vendin dhe për të penguar zgjerimin e NATO-s.

Rusia tani mban nën kontroll rreth një të pestën e territorit ukrainas – pjesa më e madhe e tij e shkatërruar nga luftimet. Të premten, ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se kishte marrë nën kontroll tre fshatra në rajonet Dnipropetrovsk dhe Kharkiv të Ukrainës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta