
Princi Andrew është detyruar të heqë dorë nga të gjithë titujt dhe nderimet mbretërore pas skandalit të vazhdueshëm që lidhet me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein.
Ish-Duka i York-ut, 65 vjeç, ka konfirmuar nëpërmjet një deklarate zyrtare se nuk do të përdorë më asnjë titull mbretëror, përfshirë edhe atë të Dukës së York-ut, që iu dha nga Mbretëresha Elizabeth II në ditën e dasmës së tij me Sarah Ferguson, më 23 korrik 1986.
Ai ka hequr dorë gjithashtu edhe nga posti në Urdhrin e Garter, kalorësia më e lartë në Mbretërinë e Bashkuar.
Vendimi u mor pas bisedimeve me Mbretin Charles dhe Princin William, në një përpjekje për të ruajtur imazhin e monarkisë nga dëmet që skandali i Andrew po shkaktonte prej vitesh.
Megjithatë, pavarësisht vendimit të fortë për t’i hequr të gjitha titujt dhe përjashtimit nga ngjarjet madhore të familjes mbretërore – përfshirë Krishtlindjet në Sandringham – Andrew do të lejohet të vazhdojë të jetojë në Royal Lodge, rezidencën luksoze me 30 dhoma në Windsor, të cilën e ka me kontratë deri në vitin 2078, shkruan “The Sun”.
Sipas burimeve pranë pallatit, si Mbreti ashtu edhe Princi i Uellsit kanë shprehur dëshirën që Andrew të largohet nga kjo pronë, e cila ndodhet shumë pranë rezidencës së tyre të re, Forest Lodge. Megjithatë, për shkak të kontratës së tij “të hekurt”, kjo nuk është ligjërisht e mundur për momentin.
Në deklaratën e bërë publike përmes Buckingham Palace, Andrew u shpreh se akuzat ndaj tij po shpërqendronin vëmendjen nga puna e Mbretit dhe familjes mbretërore, dhe për këtë arsye kishte vendosur të bënte një hap më tej.
“Me pajtimin e Madhërisë së Tij, nuk do të përdor më titujt apo nderimet që më janë dhënë. Siç kam thënë më parë, i mohoj me forcë akuzat kundër meje”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Lëvizja vjen pas një jave tensioni të lartë në pallat, që shpërtheu pas publikimit të email-eve të reja që faktonin se Princi Andrew kishte qëndruar në kontakt me Jeffrey Epstein më gjatë nga sa kishte deklaruar publikisht. Në një nga mesazhet e zbuluara, të dërguara në shkurt 2011, ai i shkruante Epstein: “Jemi në këtë së bashku… do ta kalojmë”.
Akuzat ndaj Andrew janë ringjallur fuqishëm edhe pas zbulimeve të reja nga kujtimet e Virginia Giuffre, e cila ndërroi jetë në prill të këtij viti.
Në librin e saj, që pritet të publikohet të martën, ajo pretendon se është trafikuar për të kryer marrëdhënie seksuale me Andrew në tre raste dhe e akuzon atë se e konsideronte seksin me të si “të drejtë që i takonte nga lindja”.
Familja e saj reagoi menjëherë pas lajmit se Andrew do të hiqte dorë nga titujt, duke e cilësuar këtë një “fitore për Virginia-n” dhe duke bërë thirrje që Mbreti Charles t’i heqë atij edhe titullin “Princ”.
Pavarësisht vendimit, vajzat e Andrew, Princesha Beatrice dhe Eugenie, do të mbeten zyrtarisht princesha, pasi janë tituj të lindur dhe nuk mund të hiqen.
Ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, gjithashtu nuk do të përdorë më titullin “Dukesha e York-ut”, megjithëse nuk e kishte përdorur në mënyrë profesionale prej vitesh.
Kjo nuk është hera e parë që Princi Andrew përballet me masa ndëshkuese nga familja mbretërore.
Në vitin 2022, Mbretëresha Elizabeth II i hoqi të gjitha titujt ushtarakë dhe patronazhet mbretërore, ndërsa u njoftua gjithashtu se nuk do të përdorte më titullin “Lartësia e Tij Mbretërore” në asnjë funksion zyrtar. Po atë vit, ai arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore me Virginia Giuffre, duke i paguar një shumë të panjohur për të mbyllur padinë për abuzim seksual, ndërkohë që vazhdon të mohojë çdo akuzë.
Në prapaskenë, pallati mbretëror thuhet se ka shtuar presionin ndaj tij për ta larguar nga Royal Lodge, duke i hequr financimin dhe sigurimin zyrtar. Por Andrew ka arritur të qëndrojë aty, falë burimeve të reja financiare që nuk janë bërë publike.
Sipas ekspertëve të çështjeve mbretërore, ky është ndoshta fundi i rrugës për Andrew brenda familjes mbretërore. Autori Phil Dampier e quajti këtë një “tragjedi greke”, duke shtuar: “Ndoshta do ishte më mirë për të që të niste një jetë të re jashtë Mbretërisë së Bashkuar, pasi këtu nuk ka më të ardhme”.
Top Channel