
Chelsea ka marrë një fitore të thellë 3-0 në udhëtim ndaj Nottingham Forest, duke lënë pas një pjesë të parë të vakët dhe duke shpërthyer në të dytën, falë një reagimi të fortë pas pushimit.
Skuadra e Enzo Maresca-s ishte e pafuqishme në 45 minutat e para, por një fjalim i trajnerit në dhomat e zhveshjes ndryshoi gjithçka. Blutë dolën furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë që e tronditën Forest.
Josh Acheampong hapi serinë e golave me një goditje me kokë, pas një krosimi fantastik nga Pedro Neto.
Vetë Neto dyfishoi avantazhin, duke finalizuar në mënyrë të shkëlqyer një skemë të shpejtë nga një goditje e lirë me Reece James.
Ishte pikërisht kapiteni James që mbylli ndeshjen me një gol në ndeshjen e tij të 200-të me fanellën e Chelsea-t, duke shënuar nga afër pas një goditje nga këndi.
Megjithatë, Chelsea nuk e përfundoi takimin pa telashe, pasi Malo Gusto u ndëshkua me karton të kuq në minutat e fundit.
Nga ana tjetër, Nottingham Forest prodhoi raste të mira në pjesën e parë, por mungesa e efikasitetit u kushtoi rëndë. Trajneri Ange Postecoglou është nën presion të madh pas kësaj disfate, me skuadrën që ka pësuar 18 gola në 8 ndeshjet e fundit.
Në “City Ground” u dëgjuan sërish fishkëllima të forta nga tifozët në fundin e ndeshjes, ndërsa e ardhmja e trajnerit australian duket gjithnjë e më e paqartë.
Chelsea me këtë fitore ngjitet vetëm dy pikë larg Arsenalit, duke shtuar më shumë entuziazëm për pjesën e mbetur të sezonit.
Top Channel