Përplasjet e dhunshme kufitare shkaktuan dhjetëra viktima, Afganistani dhe Pakistani nisin sot bisedimet e paqes në Doha

18/10/2025 12:24

Afganistani dhe Pakistani do të zhvillojnë sot bisedime paqeje në Doha, në një përpjekje për t’i dhënë fund përplasjeve ndërkufitare që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i qeverisë talebane në Afganistan, Zabihullah Mujahid.

“Siç kemi premtuar më herët, negociatat me palën pakistaneze do të zhvillohen sot në Doha”, deklaroi Mujahid. Ai shtoi se një delegacion i nivelit të lartë, i udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes së talebanëve, Mullah Muhammad Yaqoob, është nisur tashmë drejt Katarit.

Islamabadi deklaroi se armëpushimi do të zgjaste 48 orë, ndërsa Kabuli, kryeqyteti i Afganistanit tha se do të mbetej në fuqi për aq kohë sa nuk do të shkelej nga pala kundërshtare.

Të premten në mbrëmje, autoritetet afgane akuzuan Pakistanin për shkelje të armëpushimit pas disa sulmeve që lanë të paktën 10 civilë të vrarë në provincën Paktika, në lindje të Afganistanit. Të dyja palët konfirmuan këtë mëngjes se po dërgonin delegacionet e tyre në Katar për të nisur bisedimet. Pakistani do të përfaqësohet nga Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe kreu i shërbimeve të inteligjencës, Gjeneral Major Asim Malik.

Nga ana tjetër, delegacioni afgan do të udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes, Mohammad Yaqoob.

“Ne përsërisim se Afganistani beson në zgjidhje paqësore dhe në sigurinë rajonale. Gjithçka që ka ndodhur është rezultat i agresionit të Pakistanit”, deklaroi zëdhënësi taleban, duke e cilësuar situatën si “provokim dhe përpjekje për të zgjatur konfliktin”.

Armëpushimi dyditor solli një periudhë të shkurtër qetësie në zonat kufitare dhe në Kabul, pas përshkallëzimit të dhunës që kishte shpërthyer të mërkurën. Përleshjet kanë shkaktuar dhjetëra viktima, si mes militantëve, ashtu edhe civilëve.

Tensionet mes dy vendeve janë të përsëritura dhe lidhen kryesisht me çështje të sigurisë. Islamabadi ka akuzuar shpesh Kabulin për strehimin e organizatave “terroriste” që kryejnë sulme në territorin pakistanez, akuza që autoritetet talebane i kanë mohuar vazhdimisht.

Të enjten, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, deklaroi se “topi është në fushën e Kabulit” për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm, duke denoncuar edhe një herë se “grupet terroriste po veprojnë nga ana afgane pa u ndëshkuar”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Shafqat Ali Khan, theksoi në një konferencë për shtyp se Islamabad pret “veprime konkrete dhe të verifikueshme” nga qeveria talebane për të ndaluar veprimtarinë e këtyre grupeve.

Përleshjet nisën pas shpërthimeve në Kabul, të cilat talebanët ia atribuan Pakistanit. Në reagim, ata ndërmorën operacione ushtarake përgjatë kufirit fundjavën e kaluar, të cilave Islamabadi iu përgjigj me masa të ashpra.

Sipas Misionit të Ndihmës së OKB-së në Afganistan (UNAMA), brenda disa ditësh janë regjistruar 37 civilë të vrarë dhe 425 të plagosur vetëm në anën afgane të kufirit.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta