
Hamasi synon të ruajë kontrollin e sigurisë në Rripin e Gazës gjatë periudhës kalimtare, tha për Reuters Mohammed Nazal, një anëtar i byrosë politike të grupit, duke sqaruar se ai nuk mund të angazhohet për çarmatim.
Qëndrimet e tij zbulojnë pengesat me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në përpjekjet e tyre për të siguruar një fund përfundimtar të luftës. Nazal, duke folur nga Doha, ku ndodhen disa udhëheqës të Hamasit, tha se grupi ishte gati të pranonte një armëpushim që zgjat deri në pesë vjet në mënyrë që Gaza e shkatërruar të mund të rindërtohet.
Por ai theksoi se hapat e ardhshëm do të varen nëse palestinezëve u jepet “shpresë dhe perspektivë” për krijimin e një shteti të pavarur.
Presioni për çarmatim dhe plani i Trump
Deklaratat e Nazalit vijnë vetëm disa ditë pas fazës së parë të armëpushimit dhe nxjerrin në pah boshllëqet midis qëndrimeve të Hamasit dhe planit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën. Plani, i paraqitur më 29 shtator, kërkon që Hamasi të kthejë menjëherë të gjithë pengjet, të çarmatoset dhe t’ia dorëzojë qeverisjen e Gazës një komiteti teknokratik nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.
Qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut e ka mbështetur planin, duke e quajtur atë një “hap të konsiderueshëm” për t’i dhënë fund pranisë ushtarake dhe politike të Hamasit. Në një deklaratë, zyra e kryeministrit izraelit tha: “Hamasi duhet të çarmatoset pa përjashtime dhe t’i përmbahet planit 20-pikësh. Koha e tij po mbaron.”
“Varet nga plani”
Nazal, i pyetur nëse Hamasi do t’i dorëzonte armët, u përgjigj: “Nuk mund të përgjigjem me një ‘po’ ose ‘jo’. Varet nga natyra e planit. Kujt do t’i dorëzohen armët?”
Ai gjithashtu theksoi se çështja e çarmatimit nuk shqetëson vetëm Hamasin, por edhe grupet e tjera të armatosura palestineze, prandaj kërkon një konsensus më të gjerë palestinez.
Duke iu përgjigjur deklaratave të tij, Shtëpia e Bardhë iu referua fjalëve të Trump, i cili deklaroi: “Ne kemi angazhimin e tyre dhe supozoj se do ta respektojnë atë”, pa përmendur në mënyrë të qartë çështjen e çarmatimit ose praninë e përkohshme të Hamasit në Gaza.
Kushtet e armëpushimit dhe fati i pengjeve
Sipas planit, Hamasi duhej të lironte të gjithë pengjet në fazën e parë. Deri më tani, ajo ka dorëzuar të gjithë pengjet e mbijetuara dhe nëntë nga 28 trupat e pengjeve që kanë ndërruar jetë. Nazal tha se grupi po përballej me “probleme teknike” në rikuperimin e pjesës tjetër dhe se vende si Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndihmonin në kërkim.
Në të njëjtën kohë, një zyrtar turk konfirmoi se Ankaraja po merrte pjesë në një ekip të përbashkët me Izraelin, Shtetet e Bashkuara, Katarin dhe Egjiptin për të gjetur trupat.
Faza e tranzicionit dhe zgjedhjet
Nazal vuri në dukje se gjatë periudhës së tranzicionit, Hamasi do të ketë një prani “në terren” për arsye sigurie, me qëllim mbrojtjen e flukseve humanitare nga bandat dhe grupet e armatosura. “Politikisht, do të ketë një administratë teknokratike. Në terren, Hamasi do të jetë i pranishëm”, tha ai.
Pas fazës së tranzicionit ai shtoi duhet të mbahen zgjedhjet.
Ai theksoi se Hamasi ende nuk ka diskutuar me ndërmjetësit krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi, siç propozohet në planin amerikan.
Vështrimi drejt së ardhmes
Hamasi, statuti i të cilit bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të negociuar një armëpushim afatgjatë në këmbim të krijimit të një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967. Nazal tha se grupi po kërkon një armëpushim tre deri në pesëvjeçar për të rindërtuar Gazën.
“Qëllimi nuk është të përgatitemi për një luftë të ardhshme, por që të ketë një paqe të qëndrueshme, palestinezët kanë nevojë për horizonte dhe shpresë. Populli ynë dëshiron një shtet të pavarur palestinez”, përfundoi ai.
Top Channel