Ish-trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, është rikthyer në skenën e futbollit, këtë herë në një rol të ri jashtë fushës.

58-vjeçari është bashkuar me Ligën Gjermane të Futbollit (DFL) si pjesë e një grupi ekspertësh që synon të përmirësojë dhe modernizojë futbollin gjerman në të gjitha nivelet.

Në grupin e ekspertëve përfshihet edhe ikona e Real Madridit dhe kampioni i botës, Sami Khedira, si dhe drejtues të lartë klubesh nga Bundesliga dhe ligat e tjera gjermane.

Drejtori menaxhues i DFL-së, Marc Lenz, theksoi rëndësinë e këtij grupi: “Jemi të bindur se për të mbajtur Bundesligën dhe futbollin gjerman në nivele të larta konkurruese, duhen vendosur kuadrot e duhura financiare, ligjore dhe sportive. Grupi i ekspertëve do të ofrojë mendime të vlefshme për këtë qëllim.”

Fokusi i grupit do të jetë:

Trajnimi dhe integrimi i talenteve të rinj;

Përmirësimi i standardeve dhe strukturave të klubeve;

Krijimi i një modeli të qëndrueshëm për konkurrueshmërinë e klubeve gjermane;

Sipas deklaratës zyrtare të DFL-së, rezultatet e para priten të prezantohen në pranverën e vitit 2026, fillimisht në komitetet e ligës dhe më pas në të gjitha 36 klubet e përfshira.

Paralelisht me detyrën e re në DFL, Klopp do të vazhdojë rolin e tij si Kreu Global i Futbollit në grupin Red Bull, të cilin e mori në fillim të vitit 2025. Në këtë funksion, ai mbikëqyr zhvillimin e klubeve si: RB Leipzig, RB Salzburg, New York Red Bulls.

Ai merret me zhvillimin e talenteve, rekomandime për transferime dhe emërime trajnerësh në të gjithë rrjetin e klubeve të Red Bull.

Në një intervistë për The Athletic, Klopp pranoi se nuk i mungon menaxhimi i një skuadre dhe se po shijon një jetë më të qetë pas largimit nga Liverpool: “E pashë disa ndeshje të Liverpool-it dhe isha shumë i lumtur me mënyrën si luajtën. Por nuk është se them ‘Është e shtunë, duhet të shikoj ndeshjen!’ Nuk dija as kur fillonin ndeshjet. Po shijonim jetën, sport, kohë me nipërit e mbesat… gjëra krejt normale. E di që do të punoj sërish, por nuk dua të jem më trajner.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta