
Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku zhvilluan bisedime për situatën në Ukrainë dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Takimi u hap me fjalët e Trump, i cili e cilësoi praninë e homologut ukrainas si një nder të madh dhe e përshkroi atë si një lider shumë i fortë që ka kaluar shumë.
Trump deklaroi se gjatë takimit do të diskutohej edhe telefonata që kishte zhvilluar një ditë më parë me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe samiti i planifikuar mes tyre që pritet të mbahet në Hungari.
“Mendoj se gjërat po ecin mjaft mirë. Duam të shohim nëse mund ta realizojmë këtë, pas disa udhëzimeve që u diskutuan gjatë takimit në Alaska”, tha ai.
Nga ana e tij, presidenti Zelensky falënderoi mikpritësin dhe e uroi për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
“Mendoj se me ndihmën tuaj mund ta përfundojmë këtë luftë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Rusia nuk po arrin shumë suksese në fushën e betejës.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ka zhvilluar takime me disa kompani energjetike amerikane, të cilat janë të gatshme të investojnë në Ukrainë sapo të përfundojë lufta.
Top Channel