Votimi i dyshimtë për anëtarin e Kushtetueses, reagon e pakënaqur Gjykata e Lartë. Top Channel: Transparenca është detyrim, jo presion

17/10/2025 21:30

Publikimi nga Top Channel i audios së mbledhjes ku u bë votimi për zgjedhjen e një anëtari të gjykatës Kushtetuese, solli reagimin e Gjykatës së Lartë. Në një njoftim të kësaj gjykate pretendohet se komentet publike kanë deformuar faktet.

Në deklaratën për median, Gjykata e Lartë e cila e cilëson debatin publik “të njëanshëm dhe të pasaktë” thotë se procesi i votimit më 30 shtator është zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin, duke respektuar fshehtësinë e votës dhe standardet procedurale të pandryshuara.

Në deklaratë, Institucioni sqaron se një fletë u shpall e pavlefshme për shkak të dy shenjave të ndryshme, të cilat, sipas gjykatës, cënonin fshehtësinë e votimit, dhe se në mungesë të shumicës së 3/5, fitues u shpall ipso lege (në kuptim të ligjit) kandidati i parë në listën e KED, Asim Vokshi.

Në të njëjtën deklaratë, Gjykata e Lartë dënon “gjuhën fyese dhe presionin publik”, duke thënë se nuk do të ndikohet nga sulmet apo insinuatat mediatike. Për të rikujtuar publikun, por edhe për të përballur faktet me pretendimet, Top Channel një ditë më parë publikoi zërin e vetë gjyqtarëve dhe pjesëmarrësve në mbledhje, të cilët debatonin për vlefshmërinë e votës.

Po ju rikujtojmë  një pjesë…

Gjyqtarët: “E vlefshme, është po te numri 2 shenja.”

Anisa Kulo (kancelarja): “Po, meqë është një nga shkaqet përveç shenjave, asnjë lloj shënimi tjetër.”
(Zhurmë)

Sokol Sadushi: “Ju lutem, e ka komisioni fletën në dorë, asnjë nga anëtarët nuk ka të drejtë të konsultohet. Komisioni le të vendosë. Atëherë opinioni… vendimi juaj?”

Anisa Kulo (kancelarja): “Vendimi ynë është të konsiderohet i pavlefshëm kjo fletë votimi!”

Gjykata mund ta shpjegonte vetë audion e mbledhjes dhe procesverbalin në lidhje me të, për arsye se bëhet fjalë për një moment shumë delikat që ka të bëjë me drejtësinë, transparencën dhe ligjshmërinë e një votimi.

Duhet thënë se votimi përcakton përbërjen e një institucioni si gjykata Kushtetuese, e cila simbolikisht duhet të jetë në një shtëpi xhami në sytë e publikut.

Top Channel thekson se nuk ushtron presion mbi asnjë institucion, por ushtron detyrën themelore për një media: të pyesë, të verifikojë dhe të informojë publikun për proceset që ndikojnë jetën e qytetarëve me zë dhe me figurë ashtu siç faktet janë.

Publikimi i audios dhe analiza e materialeve kanë qenë pjesë e një pune redaksionale të bazuar në dokumente zyrtare, me qëllim sqarimin e opinionit publik, jo kontestimin e institucioneve.

Në një demokraci funksionale, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë kërcënim për drejtësinë, janë kusht për të. Ky debat tregon një tension të shëndetshëm mes institucioneve që mbrojnë ligjin dhe mediave që kërkojnë të vërtetën.

Gjykata mbron procesin, media ngre pyetje, dhe në këtë balancë qëndron thelbi i një shteti demokratik: drejtësi që s’duhet të ketë frikë nga drita.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta