
Problemet jashtë fushës për Juventus nuk kanë përfunduar ende. UEFA ka hapur zyrtarisht një tjetër hetim ndaj klubit italian, lidhur me shkelje të mundshme të rregullave financiare gjatë periudhës 2022-2025.
Lajmi është bërë i ditur nga The Athletic, ndërsa në fokus të hetimit janë humbjet financiare të klubit përtej kufirit të lejuar nga UEFA.
Sipas rregullores aktuale, klubet europiane lejohen të kenë një humbje deri në 60 milionë euro për periudhën trevjeçare, ose deri në 90 milionë euro nëse arrijnë të tregojnë menaxhim financiar të shëndetshëm. Në rast se shkeljet konfirmohen, Juventus rrezikon ndëshkime që variojnë nga gjoba deri te kufizime në regjistrimin e lojtarëve për kompeticionet europiane.
Ky zhvillim vjen vetëm një vit pasi “Zonja e Vjetër” u përjashtua nga Europa për sezonin 2023-24 dhe u gjobit me 20 milionë euro, nga të cilat 10 milionë ishin të pezulluara me kusht të përmbushjes së detyrimeve financiare për vitet 2023, 2024 dhe 2025 – të njëjtat vite që tashmë janë subjekt i hetimit të ri.
Juventus ka konfirmuar përmes një deklarate të shkurtër se është në dijeni të hetimit, duke tentuar ta minimizojë rëndësinë e çështjes. Megjithatë, brenda klubit ka shqetësim të madh për ndikimin që kjo mund të ketë në planet afatgjata, veçanërisht në prag të mbledhjes së aksionarëve më 7 nëntor, ditë në të cilën CEO Maurizio Scanavino do të largohet pas tre vitesh në drejtim.
Kujtojmë se më herët, edhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) e kishte ndëshkuar Juventusin me heqje pikësh në Serie A për manipulim financiar në transferime. Edhe pse dënimi u reduktua me apel, reputacioni i klubit u godit rëndë.
Ndërkohë, drejtori sportiv Cristiano Giuntoli dhe bordi drejtues kanë ndërmarrë hapa për të rikthyer qëndrueshmërinë financiare – përmes uljes së shpenzimeve, largimeve të lojtarëve me paga të larta dhe promovimit të talenteve nga akademia. Megjithatë, hetimi i ri i UEFA-s mund të dëmtojë seriozisht këto përpjekje.
Kjo situatë ndodh në një moment delikat edhe për marrëdhëniet mes Juventus dhe UEFA, që janë tensionuar që nga tentativa për krijimin e Superligës Europiane në vitin 2021. Ndërsa klubet si Real Madrid dhe Barcelona janë tërhequr, Juventus vazhdoi të mbajë një qëndrim sfidues ndaj autoriteteve futbollistike.
Pritet që rezultatet e hetimit të bëhen publike në pranverën e vitit 2026.
Top Channel