
Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës kanë konfirmuar se një sulm me dronë gjatë natës shënjestroi një depo nafte dhe një strukturë industriale pranë bazës ajrore ruse Gvardeyskoye, në Krime.
Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin e goditjes, të pasuar nga një zjarr masiv.
“Rezultati i veprimeve të suksesshme të Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës është shkatërrimi i depos së naftës në fshatin Gvardiyskyi”, thuhet në deklaratën zyrtare të njësive speciale.
Ky sulm ishte pjesë e një operacioni më të gjerë me dronë, i cili goditi disa objektiva ushtarake ruse në territoret e pushtuara dhe brenda vetë Rusisë.
Sipas zëdhënësit të Marinës Ukrainase, Dmytro Pletenchuk, gjatë përpjekjeve për tu mbrojtur nga sulmi, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi gabimisht një avion luftarak të vetin, mbi Krimenë veriperëndimore. Sipas komunikimeve të përgjuara, dyshohet se piloti humbi jetën pasi të dy motorët e avionit u përfshinë nga flakët.
Kanali lokal në Telegram “Era e Krimesë” raportoi shpërthime të fuqishme dhe një zjarr të madh në zonë, ndërsa pamjet konfirmojnë djegien e infrastrukturës së karburantit.
Sulmet me dronë raportohet se kanë goditur gjithashtu infrastrukturën ushtarake në Donjetsk, ndërsa mbrojtja ajrore u aktivizua edhe në qytetin rus të Soçit, rreth 400 kilometra nga kufiri ukrainas. Më shumë se dhjetë aeroporte ruse pezulluan përkohësisht operacionet e tyre për shkak të alarmit ajror.
Ukraina vijon të synojë objektivat ushtarake dhe logjistike të Rusisë si pjesë e strategjisë për të dobësuar kapacitetet ofensive të Moskës në vijën e frontit.
Top Channel