Serbia po përjeton një tetor të tensionuar në arenën e futbollit, veçanërisht pas humbjes së hidhur 0-1 ndaj Shqipërisë.

Por tashmë, pakënaqësitë e tifozëve dhe mediave serbe kanë marrë një drejtim tjetër: Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të kritikave pas një vizite të fundit në Kosovë.

Infantino për Shaqirin dhe lojtarët me origjinë nga Kosova: “Ata do të ishin krenari për çdo kombëtare”

Gjatë vizitës në Prishtinë, kreu i FIFA-s bëri disa komente që kanë ngjallur reagime të forta në Serbi. Ai përmendi lojtarë si Xherdan Shaqiri, të cilët, sipas tij, do të kishin qenë përfaqësues të denjë për Kosovën, nëse ajo do të ishte njohur më herët nga organizatat ndërkombëtare të futbollit.

“Për shumë lojtarë me origjinë nga Kosova që janë rritur jashtë vendit, si Xherdan Shaqiri dhe të tjerë, ekziston një lidhje e fortë emocionale me atdheun e prindërve të tyre. Në atë kohë, Kosova nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht dhe ata u detyruan të zgjidhnin ekipe të tjera kombëtare, si Zvicra,” – tha Infantino.

Reagimi i mediave serbe: “Skandal, por s’na çudit më asgjë”

Këto deklarata janë cilësuar si “skandaloze” nga mediat dhe tifozët serbë, të cilët prej kohësh e kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj çdo veprimi që konsideron Kosovën si entitet të pavarur në sportin ndërkombëtar.

Infantino, nga ana tjetër, theksoi se FIFA është e përkushtuar për të përfshirë të gjithë në futboll, duke vlerësuar rrugëtimin e vendeve të reja që janë bërë pjesë e familjes ndërkombëtare të këtij sporti.

Kjo situatë vjen në një moment të ndjeshëm për futbollin serb, që jo vetëm humbi në fushë ndaj Shqipërisë, por tani përballet me tensione edhe në aspektin diplomatik dhe sportiv.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta