Revolta ndaj LaLigas për ndeshjen në SHBA, futbollistët në Spanjë nisin këtë javë protestën e veçantë

17/10/2025 18:55

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Spanjë (AFE) po përgatit një reagim të organizuar ndaj mënyrës së trajtimit të ndeshjes së planifikuar midis Barcelonës dhe Villarrealit më 20 dhjetor 2025 në stadiumin Hard Rock të Miamit.

Sipas burimeve të COPE, lojtarët po shqyrtojnë mundësinë e një proteste simbolike në të gjitha ndeshjet e javës së nëntë të LaLigas, ku do të ndalen për 20 deri në 30 sekonda në fillim të takimit – një mesazh i qartë kundër asaj që ata e quajnë mungesë transparence, respekti dhe bashkëpunimi nga ana e LaLigas.

Takimi hapës i javës së nëntë, Oviedo – Espanyol, që luhet sonte në ora 21:00 në stadiumin “Carlos Tartiere”, mund të jetë skena e parë e kësaj proteste. Ende nuk është konfirmuar nëse pushimi do të ndodhë, pasi AFE vazhdon konsultimet me kapitenët dhe dhomat e zhveshjes të të gjitha ekipeve.

AFE ka publikuar së fundmi një deklaratë zyrtare, ku shpreh pakënaqësinë e thellë ndaj LaLigas për vendimin e organizimit të ndeshjes në SHBA, pa përfshirë lojtarët në vendimmarrje:

“Nuk kemi marrë asnjë informacion lidhur me këtë ndeshje, edhe pse e kemi kërkuar që dy muaj më parë, që nga momenti kur Bordi i Drejtorëve i Federatës Spanjolle (RFEF) e konfirmoi projektin zyrtarisht,” – thuhej në deklaratë.

Shoqata thekson gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që LaLiga vepron në këtë mënyrë. Në vitin 2018, një përpjekje e ngjashme për të zhvilluar një ndeshje zyrtare të kampionatit jashtë Spanjës dështoi, pasi AFE kundërshtoi hapur projektin dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje me organizatorët.

Kjo protestë e paralajmëruar vjen në një moment kur marrëdhëniet mes LaLigas dhe përfaqësuesve të lojtarëve janë përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht për çështje që lidhen me të drejtat e lojtarëve, transparencën institucionale dhe përfshirjen në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në ta.

Mbetet për t’u parë nëse pushimi simbolik do të realizohet dhe çfarë impakti do të ketë në marrëdhëniet mes palëve – si dhe në debatin e nxehtë mbi zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit spanjoll jashtë territorit të vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta