“Po i heqin të drejtën e fjalës opozitës”, Këlliçi pas Konferencës së Kryetarëve: Peleshi ndërpreu seancat me urdhër të Ballës

17/10/2025 17:45

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi foli pas Konferencës së Kryetarëve për debatin që u zhvillua.

Këlliçi tha se u zhvillua një debat për ngushtimin e hapësirave të opozitës në Kuvend. Deputeti tha se në 3 seanca parlamentare Niko Peleshi me urdhër të Taulant Ballës ka ndërprerë seancat në mënyrë që opozita të mos mundet të diskutojë për problemet të qytetarëve.

“Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve ku për rend dite kishim 3 kërkesa të depozituara nga grupi parlamentar i PD-së. Dua të sqaroj se pati një debat tejet të gjatë në lidhje me ngushtimin e hapësirave të opozitës në Kuvend, kur drejtimin e këtij institucioni kaq të lartë e ka marrë Niko Peleshi.

Në një muaj jetë parlamentare, respekti i mazhoranës për opozitën shihet në faktin që në 3 javët e fundit është përjashtuar 2 herë nga seanca kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi vetëm sepse ka kërkuar zbatimin e rigoroz të rregullores së kuvendit dhe Kushtetutës së Shqipërisë.

Mjafton fakti që 3 seancat e fundit janë përgatitur të gjithë deputetët e opozitës për të folur për çështjet madhore të vendit dhe në këto 3 seanca Peleshi ka marrë vendimmarrjen e qartë dhe urdhrin politik nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla për t’i ndërprerë seancat që deputetët e opozitës të mos flasin.

Mos harroni seancën e parë ku diskutohej programi i qeverisë, ajo seancë në mënyrën më të paprecedentë në 34 vite parlamentarizëm u ndërpre, duke i mohuar shqiptarëve të dëgjonin qoftë qëndrimin e mazhorancës për programin qeverisës, qoftë qëndrimin e deputetëve të opozitës për programin e paraqitur para tyre.

Në seancën e dytë ndodhi e njëjta gjë, një skenar i paraplanifikuar nga mazhoranca, për të ndaluar opozitën që të flasë për çështjet e rëndësishme që prekin sot qytetarët shqiptarë.

E njëjta gjë u bë dje sapo po afronte momenti i diskutimit të ligjit të mbetjeve, i cili vjen dhe rikthehet të strategjia që la në gjysmë PD në vitin 2013″,  u shpreh Këlliçi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta