Shumë njerëz ëndërrojnë të bëhen futbollistë dhe të ndërtojnë një karrierë të lavdishme në sportin më të dashur në botë.

Disa luajnë në terrene të vështira, me shpresën që një ditë të arrijnë në stadiumet më të famshme të botës, ndërsa disa të tjerë lindin me fatin për të luajtur në fusha me infrastrukturë të nivelit të lartë.

Por ekziston një rast krejt ndryshe – një lojtar që ka mashtruar të gjitha ekipet ku ka firmosur kontratë. Ai ka pasur një karrierë shumë të gjatë, plot 26 vjet, por pa luajtur asnjë minutë në asnjë nga skuadrat ku ka qenë pjesë. Për gola, as që bëhet fjalë. Quhet Carlos Henrique Kaiser.

Epiteti “Kaiser” nuk kishte lidhje me ndonjë ngjashmëri me Beckenbauer-in, por erdhi sepse trupi i tij i fuqishëm i ngjante një shisheje birre të njohur që mbante këtë emër. Ai ishte ndër më të dashurit për shokët e skuadrës – por ndër më të urryerit nga presidentët e klubeve.

Inteligjenca për të mashtruar ishte ndoshta më e lartë se niveli i njohurive të Albert Ajnshtajnit, në mënyrën më të çuditshme të mundshme. Me një telefon lodër në dorë, ai mashtronte klubet duke pretenduar se po fliste me ekipe të tjera dhe se po i ofrohej një kontratë marramendëse – vetëm që ta merrnin në ekip si “përforcim” për të mos përfunduar tek ndonjë rival.

“Në minutën e parë, po kërkoja topin dhe bëra sikur u rrëzova dhe u lëndova. Rimëkëmbja zgjati disa muaj – dhe atëherë, fjala e futbollistit besohej”, ka rrëfyer vetë Kaiser, pas 26 vitesh “futboll profesionist”.

“Meqenëse nuk po luaja, erdha në hotel tre ose katër ditë më parë, mora edhe disa femra – madje mjaftueshëm edhe për shokët e mi të ekipit.”

“Kisha një telefon dhe klubet besonin se po flisja me të tjerë, dhe se më ofronin shuma të mëdha për të shkuar atje. Disi, gjërat po shkonin mirë për mua dhe vazhdoja të gënjeja se isha një futbollist i talentuar dhe se isha i pafat me lëndimet e mia… inekzistente.”

Gjatë kësaj karriere të gjatë të rreme, Carlos Henrique “Kaiser” nënshkroi me klube në Europë, Amerikën e Jugut dhe SHBA. Në total, ai ishte pjesë e dhjetë klubeve të ndryshme, por në asnjërën prej tyre nuk luajti kurrë, as edhe një minutë – e jo më të shënonte gol.

Braziliani mund të përshkruhet si një “legjendë” e futbollit – por në kuptimin më negativ të mundshëm. Talenti i tij për të mashtruar ishte aq i madh, sa pak vetë mund ta kishin imagjinuar se një njeri mund të shpikte një karrierë të tërë në sportin profesionist.

Në ditët e sotme, një rast si Kaiser nuk do të mbijetonte. Teknologjia, analizat fizike, komunikimi dhe transparenca e sotme në botën e futbollit nuk do ta lejonin kurrë një “futbollist fantazmë” të ekzistonte.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta