
Një sherr mes tre personash ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Durrës, në lagjen nr. 15 të Durrësit pranë një pike karburanti.
Dy persona kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Njëri nga personat e përfshirë në konflikt ka pasur një armë zjarri me vete dhe ka shkrepur në ajër.
“Goditi me sende të forta, për motive të dobëta, 2 shtetas, kapet dhe vihet në pranga, 37-vjeçari. Sekuestrohet arma me fishekë manovër, me të cilën dyshohet se 37-vjeçari qëlloi në ajër, gjatë konfliktit.
Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 08:30, se në lagjen nr. 15, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi K. K., 37 vjeç, kishte goditur me sende të forta, shtetasit B. Xh., 66 vjeç dhe A. Xh., 61 vjeç (kushërinj), shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K..
37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Top Channel