
Zyra Federale e Fatkeqësive dhe Ndihmës Civile (BBK) ka paralajmëruar qytetarët gjermanë që të jenë të përgatitur për raste të mundshme emergjencash, si ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, të shkaktuara nga sulme kibernetike, stuhi ose sabotime.
Në këto situata, rrjetet telefonike dhe interneti mund të mos funksionojnë, prandaj BBK këshillon që çdo familje të ketë të shtypur në letër numra të rëndësishëm telefoni, harta dhe udhëzime për vendndodhjet kryesore, si p.sh. stacioni më i afërt i policisë apo spitali lokal.
Gjithashtu, rekomandohet të mbahen banka energjie (powerbank) për karikimin e pajisjeve elektronike dhe radio që funksionon me bateri ose me bosht, për të qenë në gjendje të ndiqen njoftimet zyrtare edhe gjatë ndërprerjeve të energjisë.
Udhëzuesi i përditësuar përfshin gjithashtu udhëzime për rast shpërthimi, në të cilat qytetarët duhet të kërkojnë hapësira të brendshme me sa më pak mure dhe dyer të jashtme dhe pa dritare. Bodrumet tregohen si më të sigurta, ndërsa papafingot janë të kundërindikuara.
Qytetarët gjithashtu duhet të jenë në gjendje të dallojnë përpjekjet për t’i keqinformuar në rast emergjence. BBK rekomandon që qytetarët të shqyrtojnë burimin e lajmit, për shembull nëse krijuesi përdor një emër të vërtetë ose nëse adresa e faqes së internetit është e njohur dhe e besueshme.
Ministri Federal i Brendshëm Alexander Dobrid theksoi në të njëjtën kohë se Pakti i Mbrojtjes Civile ndan 10 miliardë euro deri në vitin 2029 për të modernizuar strukturat e mbrojtjes civile në të gjithë vendin, duke përfshirë automjetet, objektet, trajnimin dhe pajisjet. Ai theksoi, megjithatë, se qytetarët kanë gjithashtu detyrë të marrin masa mbrojtëse. “Masat paraprake vlejnë për çdo person në shtëpi. Përgatitja e duhur shpëton jetë”, tha z. Dobrid.
Udhëzimet ekzistuese të BBK-së përfshijnë informacion të gjerë se cilat dokumente zyrtare duhet të mbahen në origjinal dhe për cilat një kopje është e mjaftueshme, çfarë duhet të përmbajë çanta e emergjencës, sendet e nevojshme (p.sh., të papërshkueshme nga uji), veshjet dhe madje edhe sigurimin e një portofoli në qafë ose kapsule SOS për fëmijët, me detajet e nevojshme të identifikimit.
Top Channel