Festa e Top Media në ditën e ditëlindjes së Tanit, Lori Hoxha: Ky, viti kur grupi ynë forcohet si një i vetëm, ku e tashmja dhe e ardhmja takohen

17/10/2025 22:10

Top Media u mblodh në festën e përvitshme, në ditën përkujtimore të themeluesit Dritan Hoxha.

Në fjalën e mirëseardhjes, drejtuesja e kompanisë Lori Hoxha foli për vizionin e saj për grupin mediatik.

“Këtë festë e nisi im atë, themeluesi që sot do të festonte 57-vjetorin e tij. Ai nuk ndërtoi vetëm një kompani, ndërtoi një besim. Një besim se edhe në një vend të vogël me pak burime por me shumë zemër mund të krijonim diçka që prek çdo shtëpi, çdo familje… dhe ne e bëmë. Kjo nuk është thjesht një mbrëmje, është një moment falënderimi për sa larg kemi ardhur, për sa shumë kemi ndërtuar dhe për forcën që na mban bashkë. Në momentet më të vështira e ndjej pranë, jo si kujtim por si forcë, fryma e tij është e pranishme në çdo vendim që marr, në çdo rrezik që guxoj dhe në çdo fitore që ndjej. Më udhëheq ende, ai është forca që nuk më le të ndalem. Është zëri që nuk më lejon të dorëzohem dhe për sa kohë kjo frymë është gjallë brenda meje, kjo histori nuk do të ndalet kurrë”-u shpreh Lori Hoxha.

Lori Hoxha shprehu mirënjohjen për skuadrën e Top Medias që punon me pasion dhe profesionalizëm, duke vazhduar me hapa përparimtarë në përgjigje të sfidave të kohës.

“Sonte dua të flas për diçka që të gjithë e ndjejmë: mënyrën se si ka ndryshuar televizioni. Jetojmë në një botë ku vëmendja është copëtuar, ekranet janë shumëfishuar por kuptimi është rralluar. Kur të tjerët thonë se televizioni ka mbaruar ne ju tregojmë se është gjallë. Kur të tjerët kërkojnë klikime ne kërkojmë lidhje. Kur të tjerët kujtojnë se magjia është zhdukur, ne ju kujtojmë se si bëhet!”

Por, e sigurt është që nuk mund të ketë një Top Channel të fortë pa Digitalb, i cili do të zhvillohet më tej më një frymë inovatore. Lori Hoxha ndau objektivin e sezonit të ri të Top Medias, ku e kaluara do të takohet me të ardhmen…

“Kur je ndërtuar mbi vlera të vërteta, asnjë stuhi nuk të shemb, vetëm të provon. Digitalb ka parë konkurrencë, dyshime por asnjëherë rënie sepse në fund është shtëpia e çdo shqiptari, pjesë e kujtesës sonë kolektive, e identitetit tonë kombëtar. Tani është koha të rifitojë peshën që meriton, jo me fjalë por me veprim; jo me nostalgji por për të ardhmen. Këtë vit çdo energji dhe vendim strategjik ka shkuar drejt forcimit të pronësisë, qartësisë dhe drejtimit të Digitalb… sepse kjo nuk është thjesht një kompani për ne, është baza që mban gjallë grupin. Ky është viti kur grupi ynë forcohet si një i vetëm, ku e tashmja edhe e ardhmja takohen”. 

16 tetori është kthyer në një simbol të vazhdimësisë, të rritjes dhe të ndikimit që Top Media ka ndërtuar ndër vite, duke mbetur një pikë referimi për informacionin, debatin dhe argëtimin në vend.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta