
Një ekspert i udhëtimeve ka paralajmëruar tifozët e futbollit në Europë që planifikojnë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës 2026, që të jenë të kujdesshëm me statusin e vizës, aktivitetin në rrjetet sociale dhe çdo shënim në të kaluarën penale.
Sipas Jessie Chambers, përfaqësuese e kompanisë ndërkombëtare të udhëtimeve Global Work & Travel, rikthimi i Donald Trump në krye të administratës amerikane ka sjellë rregulla të reja e më të rrepta për hyrjen në SHBA – përfshirë kontrolle të detajuara të mediave sociale dhe vlerësime të karakterit moral të udhëtarëve.
“Tashmë po shohim raste të shumta refuzimi për arsye që dikur nuk përbënin problem – si një tweet i vjetër, një dënim i lehtë në të kaluarën, apo gabime në plotësimin e formularit ESTA,” – tha Chambers.
Ajo thekson se tifozët duhet ta trajtojnë këtë ngjarje si një udhëtim me rrezik të lartë dhe jo si një pushim të zakonshëm që mund të planifikohet në momentin e fundit.
Që nga viti 2025, agjentët e kufirit amerikan kanë të drejtën të shqyrtojnë aktivitetin në rrjetet sociale të çdo aplikanti për vizë. Kjo do të thotë se:
Postimet ofenduese, shakatë mbi drogën apo sigurinë, apo edhe përmbajtje politike, mund të perceptohen si rrezik potencial.
Edhe ndëshkime të vogla, si ndalim për drejtimin e automjetit, mund të shkaktojnë probleme për shkak të rregullit të ri të “karakterit moral”.
“Nuk bëhet fjalë për censurë, por për perceptim,” – shpjegon Chambers. “SHBA dëshiron të dijë saktësisht se kush po hyn në vend, sidomos gjatë një ngjarjeje globale si Kupa e Botës.”
Ekspertja e udhëtimeve këshillon tifozët që të fillojnë përgatitjet për vizën sa më herët, sidomos nëse kanë pasur ndonjë problem ligjor në të kaluarën.
“Shumë njerëz e marrin si të mirëqenë që do të marrin miratim për ESTA, por mjafton një përgjigje e gabuar për të mos u lejuar të hipni në avion,” – paralajmëron ajo.
Të gjithë ata që janë arrestuar ndonjëherë apo janë akuzuar, pavarësisht nëse janë dënuar apo jo, rekomandohen të aplikojnë për vizë të plotë B-1/B-2 dhe jo të mbështeten vetëm te ESTA.
Në një deklaratë të fundit, Donald Trump pretendoi se FIFA do të ishte e gatshme të zhvendoste ndeshje të Kupës së Botës 2026 nëse ai e kërkonte këtë për arsye sigurie. Ndërkohë, FIFA ka sqaruar se autoritetet amerikane do të kenë fjalën e fundit për qytetet pritëse.
Me 11 qytete pritëse në SHBA dhe miliona tifozë të pritur nga e gjithë bota, kjo ngjarje pritet të jetë më e madhja turistike në Amerikë në dekada.
“Nuk është vetëm për biletat e ndeshjes – është për mikpritjen,” – përfundon Chambers. “Për shumë tifozë, kjo do të jetë vizita e parë në Amerikë. Ata meritojnë qartësi, jo konfuzion.”
Top Channel