
Barcelona është një ndër klubet që po monitoron nga afër sulmuesin e talentuar të Kosovës, Fisnik Asllani, sipas raportimeve të Sky Germany.
23-vjeçari, që po shkëlqen këtë sezon me Hoffenheimin, thuhet se ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me klubin gjerman dhe po planifikon të ndërmarrë hapin e radhës në karrierë verën e ardhshme. Megjithatë, ka një kusht të qartë: klubi i tij i ardhshëm duhet të jetë pjesëmarrës në Ligën e Kampionëve.
Barcelona është një nga klubet e interesuara për kartonin e Asllanit, sidomos duke pasur parasysh pasigurinë që rrethon të ardhmen e Robert Lewandowskit në “Camp Nou”. Për më tepër, vetë Asllani e ka pranuar në të kaluarën se ëndrra e tij është të luajë për Barcelonën.
Pas kthimit nga një huazim shumë i suksesshëm te Elversberg në 2. Bundesliga, Asllani ka shpërthyer me Hoffenheimin këtë sezon. Në 7 ndeshje, ai ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 2 asistime, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit.
Forma e mirë e tij nuk është kufizuar vetëm te klubi – sulmuesi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe te përfaqësuesja e Kosovës, ku ka ndihmuar skuadrën të qëndrojë në garë për një vend në Botëror.
Top Channel