
Drejtori i Informacionit në “Top Channel”, Robert Rakipllari, zbuloi në “Top Story” shkeljet që Gjykata e Lartë ka bërë në lidhje me zgjedhjen e anëtarit të Kushtetueses.
Ai u shpreh se procesverbali i votimit u falsifikua, teksa shpallja e pavlefshme e votës së Naureda Llagamit është i paligjshëm. Ai tha se kjo fletë votimi me dy shenja në të njëjtin emër në zgjedhjet parlamentare është e vlefshme.
Rakipllari u shpreh se kryetari Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke zgjedhur një komisionin teknik për të gjykuar vlefshmërinë e votës.
“Në zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë ka pasur një sërë shkeljesh procedurale. Shkelja e parë është që ligji e përcakton që anëtari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet nga mbledhja e Kolegjit të Gjykatës së lartë të cilët me votim të fshehtë zgjedhin një prej tre kandidatëve të listuar të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në kundërshtim me ligjin, kryetari i Gjykatës së Lartë ka ngritur një komision me nënpunës civilë, sekretare që janë vartëse të tij, të cilat kanë vendosur për votën e gjyqtarëve të lartë.
Së dyti, shkelja tjetër është që një komision teknik i përbërë nga kancelarë dhe sekretarë të Gjykatës së Lartë nuk mundet që të vendosë për vlefshmërinë ose jo të votës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Ata mund të jenë vetëm personel ndihmës i gjyqtarëve të lartë, gjatë procesit të votimit.
Shkelja e tretë është fakti që vota, për të cilën ata kanë shpallur të pavlefshme e ka vullnetin e qartë, për Naureda Llagamin, thjesht është votë e përforcuar dhe nuk shpallet e pavlefshme. Në praktikat e zgjedhjeve të përgjithshme, për parlamentin, Komisioni i Zgjedhjeve i shpall gjithmonë të vlefshme.
Edhe kur bëhen votime të fshehta në Parlamentin e Shqipërisë, zgjidhet presidenti ose kryetari i Kuvendit, që kërkojnë një votim të fshehtë me fletë votimi, komisioni i votimit përbehet nga deputetë dhe jo personel teknik i Kuvendit. Ndërsa një shkelje tjetër që ne si redaksi informacioni në Top Channel kemi konstatuar, me dokumentet që disponojmë, është fakti që proces verbali i zbardhur i mbledhjes së gjyqtarëve të Lartë, është i ndryshëm nga audioja e mbledhjes, pra procesverbali është falsifikuar.
Kryetari Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në kundërshtim me ligjin ka zgjedhur një komisionin teknik për të gjykuar vlefshmërinë e votës së Gjykatës së Lartë”, u shpreh Rakipllari.
Top Channel