
Ish-sulmuesi i njohur italian Graziano Pellè ka folur për herë të parë mbi jetën e tij pas divorcit nga modelja e famshme hungareze Viktoria Varga, e cilësuar shpesh si “gruaja më e bukur në botë”.
Çifti, që ishte bashkë që prej vitit 2012, u nda vitin e kaluar pas dy vitesh martese. Lajmin për ndarjen e konfirmoi vetë Varga përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ndarja ishte miqësore dhe se ata do të ruanin respektin për kujtimet e përbashkëta të 12 viteve bashkë.
Pellè, tashmë 40 vjeç, i dha fund karrierës së tij futbollistike në vitin 2021 me klubin e Parmës, por ka qëndruar pranë botës së futbollit duke punuar për Lecce-n në Serie A.
Në një intervistë për mediat holandeze gjatë një ndeshjeje të ish-legjendave të Feyenoord, ai tregoi se aktualisht jeton në Dubai dhe po përshtatet me një mënyrë të re jetese: “Jetoj në Dubai dhe bëj disa punë për Lecce-n, klubin tim në Itali. Nuk kthehem shpesh në Holandë, por ishte shumë e veçantë të rikthehesha këtu. Më duan shumë dhe ndjenjat janë të ndërsjella,” – tha Pellè.
Gjatë karrierës së tij, sulmuesi italian ka pasur periudha të shkëlqyera në Feyenoord dhe Southampton, ku shënoi përkatësisht 50 gola në 59 ndeshje dhe 30 gola në 80 paraqitje. Më pas, ai luajti për disa vite në Kinë me Shandong Luneng, përpara se të mbyllte kapitullin e tij si futbollist në Itali.
Sot, Pellè duket se po gjen ekuilibrin e ri në jetën personale dhe profesionale, larg Evropës, duke ndarë kohën mes punës në futboll dhe një jete të qetë në Dubai.
Top Channel