
Vendimi i kryeparlamentarit Niko Peleshi solli tension, fyerje e debate të forta në orët e pasdites të seancës plenare, duke çuar në shtyrjen e votimit për ngritjen e komisioneve hetimore për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Gjatë seancës u vendos që të shtyhet votimi për ngritjen e “Komisionit të Reformës Zgjedhore” dhe “Komisioni i Reformës Territoriale”.
Opozita kishte shkuar në Kuvend me disa amendamente dhe kërkonte numër anëtarësh të barabartë në komisione, por nuk lejoi vijimin normal të seancës, pasi Gazment Bardhi nuk pranoi të largohej nga salla pas përjashtimit.
Mes kaosit, socialistët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, ku u rrëzua me 72 vota kundër dhe vetëm 37 pro kërkesa e opozitës për rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë.
Debatet në sallë e jashtë saj vijuan edhe pas votimit të rendit të ditës. Gazment Bardhi sulmoi nga oborri i Parlamentit Peleshin e Ballën.
“Ne reaguam dhe do të reagojmë gjithmonë, sa herë të shkelen të drejtat e deputetëve. Kurrë nuk ka pasur Kuvendi i Shqipërisë kryetar kaq të paaftë. Është i verbër ndaj urdhrave politikë, por jo të Edi Ramës.
Ai po zbaton urdhrat e Taulant Ballës. Ishte ndërtuar shumë më përpara se Niko Klouni të dilte në seancë. Duan ta shndërrojnë kuvendin në memec.
Skenari i përjashtimit të opozitës nga seanca ishte ndërtuar shumë kohë më para se Niko Klouni të dilte ta shpallte në seancë. Skenari ishte ndërtuar që të ndërprisnin debatin”, tha Bardhi.
Ndërsa në numër shumë të vogël, deputetët opozitarë brenda sallës vijuan përplasjen me Peleshin.
Top Channel