
Dy gjigantët e Premier League, Chelsea dhe Manchester City, do të jenë pjesë e edicionit të parë të “Lionel Messi Cup”, një turne ndërkombëtar për ekipet U16, që do të zhvillohet në Miami nga 9 deri më 14 dhjetor.
Turneu, i cili mban emrin e ikonës së futbollit botëror Lionel Messi, do të përfshijë tetë skuadra rinore elitare:
Chelsea (Angli)
Manchester City (Angli)
Barcelona (Spanjë)
Newell’s Old Boys (Argjentinë)
Inter Milan (Itali)
River Plate (Argjentinë)
Atletico Madrid (Spanjë)
Inter Miami (SHBA)
Skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga katër ekipe, duke zhvilluar ndeshje me sistem “round robin”, ndërsa faza me eliminim direkt do të mbahet kryesisht në Chase Stadium dhe në qendrat stërvitore të Inter Miami.
Sipas Tim Pastore, CEO i kompanisë “525 Rosario”, që është pjesë e perandorisë mediatike të Messit, synimi i këtij turneu është më i madh se thjesht sportiv: “Messi Cup është vendi ku takohen futbolli i sotëm dhe talentet e së ardhmes. Është një mundësi për të festuar talentin, kulturën dhe komunitetin, duke krijuar trashëgimi që do të zgjasin shumë më tepër se loja vetë.”
Gjatë javës së turneut do të zhvillohen edhe aktivitetet shoqëruese kulturore e profesionale, përfshirë një samit ndërkombëtar në Faena Forum, ku do të mblidhen liderë nga sporti, biznesi dhe kultura, si dhe “Messi Cup Summit Party”, që do të mbahet në restorantin Pao by Paul Qui.
Ky event pritet të shërbejë si një platformë për promovimin e talenteve të rinj dhe për të ndërtuar ura mes kontinenteve përmes futbollit, nën emrin e një prej legjendave më të mëdha të historisë së sportit.
Top Channel