“Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja, në konflikt”, Spahiu: Përplasja tregon krizë brenda sistemit të drejtësisë. Çështja që përfundoi në Venecia…

16/10/2025 22:05

Juristi Kreshnik Spahiu, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Top Story”, komentoi përplasjen mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë lidhur me mandatin e një prej anëtarëve të Kushtetueses.

Ai e cilësoi situatën si një konflikt institucional që ka vendosur në tension funksionimin e dy prej hallkave më të rëndësishme të sistemit gjyqësor në vend.

Ka pasur një konflikt të hapur mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për çështjen e mandatit. Kryetari i Kushtetueses deklaronte se mandati i tij nuk përfundon në mars, por në dhjetor, ndërsa Gjykata e Lartë e kundërshtonte këtë qëndrim. Kjo përplasje institucionale dhe mosmarrëveshja për interpretimin e mandatit çoi çështjen deri në Komisionin e Venecias, ndërkohë që për një vit me radhë nuk është zëvendësuar mungesa në Kushtetuese.

Sa i përket procedurave të brendshme të vendimmarrjes, votimi i fshehtë ka qenë praktikë në Konferencën e Gjyqtarëve që përbëhet nga 450 vetë. Por në një trupë me vetëm 15 anëtarë, çfarë kuptimi ka fshehtësia e votës kur realisht të gjithë e dinë se për kë ka votuar secili? Në këtë rast, procesi dëmtohet dhe bie besueshmëria.

Kur tre sekretarë të zakonshëm vihen në pozitën për të analizuar votën e anëtarëve të trupës më të lartë gjyqësore në vend, minohet integriteti i procesit. Më vjen keq që dy ndër figurat më të respektuara të sistemit gjyqësor janë përfshirë në një debat publik të kësaj natyre.

Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë si një gjykatë fakti dhe të shqyrtojë në themel vullnetin e Gjykatës së Lartë. Por ajo po kalon kufijtë e kompetencave të saj dhe po ndërhyn në çështje që përcaktojnë fatet e vendit. Nuk është hera e parë. Vetëm një dekadë më parë, kjo gjykatë rrëzoi afro 50 vendime të mazhorancës që kishin të bënin me integritetin territorial dhe fatin politik të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Top Channel