
Sipas raportimeve nga Italia, Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit të Juventusit, Dusan Vlahovic, si zëvendësues potencial për Robert Lewandowskin, i cili mund të largohet nga Camp Nou në fund të kontratës së tij këtë verë.
Ashtu si Lewandowski, edhe Vlahovic po i afrohet fundit të kontratës së tij aktuale dhe, sipas “Tuttosport”, ka gjasa që të largohet nga Juventusi si lojtar i lirë në fund të sezonit, pavarësisht fillimit pozitiv të edicionit 2025-26.
Pas një sezoni të vështirë në nivel personal dhe ekipor në 2024-25, pritej që Vlahovic të largohej gjatë merkatos së verës, duke qenë se kishte vetëm edhe një vit në kontratë. Megjithatë, ai qëndroi dhe tashmë është në 12 muajt e fundit të marrëveshjes me bardhezinjtë.
25-vjeçari ka shënuar katër gola në tetë ndeshje mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve deri më tani këtë sezon – një mesatare prej një goli çdo 63 minuta, megjithëse vetëm dy nga këto paraqitje i ka nisur si titullar.
Sipas raportimeve të “Tuttosport”, Barcelona po e konsideron mundësinë për të siguruar shërbimet e sulmuesit serb me parametra zero, si pasues i Lewandowskit, i cili pritet të largohet në fund të kontratës.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, thuhet se ka pasur kontakte me agjentin e Vlahovicit, Darko Ristic, gjatë verës dhe mund të rikthehet për bisedime të mëtejshme në muajt në vijim.
Sipas raportimeve të së enjtes, Vlahovic është një nga “dy ose tre” sulmuesit që po shqyrtohen aktualisht nga Barcelona. Ndërkohë, ekzistojnë edhe zëra për interesim nga Bayern Munich, megjithatë ai do të shihej si alternativë apo konkurrent për kapitenin e Anglisë, Harry Kane.
Top Channel