Vinicius si Yamal, sulmuesi i Realit përballet me drejtësinë braziliane për… festën e ditëlindjes

15/10/2025 18:49

Pas polemikave që shoqëruan festën e ditëlindjes së Lamine Yamal disa muaj më parë, tashmë edhe ylli brazilian Vinicius Junior është në qendër të vëmendjes për arsye të ngjashme.

Sulmuesi i Real Madrid-it festoi 25-vjetorin e tij më 12 korrik, ndërsa disa ditë më vonë organizoi një festë madhështore në Rio de Janeiro, që zgjati nga 19 deri në orët e para të 21 korrikut.

Në festë morën pjesë emra të njohur të muzikës dhe sportit, mes tyre këngëtarja Anitta dhe shoku i skuadrës Eduardo Camavinga. Mbrëmja u shoqërua me koncerte të shumta, përfshirë një performancë të reperit amerikan Travis Scott.

Megjithatë, sipas “Marca”, atmosfera festive nuk ka kaluar pa pasoja. Një prej fqinjëve të Vinicius ka ngritur padi ndaj tij për “prishje të qetësisë publike” dhe “pengim të punës apo paqes së të tjerëve”.

Policia ushtarake është thirrur në vendngjarje pasi muzika dhe fishekzjarrët dëgjoheshin me volum të lartë. Sipas raportit të policisë, Vinicius dhe të ftuarit e tij pranuan fillimisht të ulnin volumin, por e ngritën sërish sapo oficerët u larguan.

Një seancë paraprake gjyqësore është caktuar për 6 nëntor, ndërsa sulmuesi brazilian mund të përballet me një dënim nga 15 ditë deri në 3 muaj burg, ose një gjobë financiare.

Top Channel