
Kim Kardashian ka folur për herë të parë rreth arsyes që e çoi drejt ndarjes nga Kanye West, duke e cilësuar martesën e tyre si “toksike”.
Në një intervistë të fundit për podcastin “Call Her Daddy”, ylli i reality show-t dhe biznesmenia 44-vjeçare tregoi detaje nga marrëdhënia e saj me reperin, me të cilin ishte e martuar nga viti 2014 deri në 2022.
Fillimisht, Kardashian rrëfeu se ajo ishte tërhequr nga inteligjenca e Kanye-s dhe se kishin kaluar një periudhë të bukur së bashku. Por gjërat nisën të ndryshonin kur ai filloi të shfaqte probleme të shëndetit mendor dhe të kthehej kundër saj dhe familjes së saj. Ajo theksoi se përpiqej të ishte mbështetëse në fillim, por kur ai nuk tregoi gatishmëri për të kërkuar ndihmë dhe për të ndryshuar, ajo ndjeu se marrëdhënia ishte bërë e pashëndetshme.
“Kur dikush nuk është i gatshëm të bëjë ndryshime që do ta ndihmonin vërtet, bëhet shumë e vështirë të qëndrosh në një marrëdhënie që mund të jetë toksike,” tha ajo.
Sipas Kim-it, ndarja ishte veçanërisht e dhimbshme për shkak të katër fëmijëve që ata kanë së bashku, dhe për një kohë të gjatë ajo qëndroi me shpresën se Kanye do të shërohej.
Kanye West ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar në vitin 2016, por më vonë ka pretenduar se diagnoza ishte e gabuar. Megjithatë, pas shumë përpjekjesh për të shpëtuar martesën, Kim vendosi të largohej për të mirën e saj dhe të fëmijëve.
“Më është dashur ta shpëtoj veten për të qenë një nënë më e mirë për ta. Mendoj se kur të rriten, do të jenë në gjendje ta kuptojnë dhe ta shohin këtë,” shtoi ajo.
Një nga momentet më të vështira për të ishte kur Kanye filloi të sulmonte publikisht anëtarët e familjes së saj në rrjetet sociale, përfshirë gjyshen dhe hallat e fëmijëve të tyre.
“Nëse dikush ndjehet ashtu për familjen time, atëherë nuk duhet të jemi bashkë”, tha Kim, duke përmendur edhe momentin kur reperi kishte zbuluar publikisht se ajo kishte menduar të abortonte gjatë shtatzënisë së tyre të parë.
Kardashian tregoi gjithashtu për pasigurinë që ndjente gjatë martesës, jo vetëm emocionale, por edhe financiare.
“Kishim pesë Lamborghini dhe pastaj befas ato zhdukeshin, sepse ai i kishte dhënë miqve të tij. Pastaj, pas një faze tjetër, i rikthenim. Nuk e dije kurrë çfarë do të të priste kur zgjoheshe,” kujton ajo. Kjo mungesë stabiliteti, siç tha, ishte tepër stresuese dhe e paqëndrueshme për një familje me fëmijë.
Pavarësisht gjithë vështirësive, Kim vlerësoi familjen e saj për mbështetjen dhe hapësirën që i dhanë për të marrë vendimin e duhur, pa presion.
“Ata e dinin sa shumë dashuri dhe respekt kisha për këtë marrëdhënie dhe se do të bëja gjithçka për ta bërë që të funksiononte,” tha Kim.
Së fundmi, ajo pranoi se kishte pasur frikë nga reagimi i publikut, sidomos duke qenë se ndarja ndodhi në një kohë kur Kanye po përballej me probleme të mëdha të shëndetit mendor. Megjithatë, ajo nuk e sheh fundin e martesës si një “dështim”, duke theksuar se ata kaluan vite të rëndësishme së bashku dhe kanë një familje të përbashkët që do t’i lidhë gjithmonë.
Top Channel