Leo Messi i “kundërpërgjigjet” rekordit të Cristiano Ronaldos, argjentinasi parakalon Neymarin dhe bëhet lojtari me më shumë…

15/10/2025 17:06

Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde edhe në fazën e fundit të karrierës së tij. Ylli argjentinas u bë lideri absolut në numrin e asistimeve në historinë e futbollit ndërkombëtar, pas paraqitjes së tij ndaj Porto Rikos, në ndeshjen e fundit të tetorit.

Pas mungesës në sfidën e Argjentinës kundër Venezuelës, për shkak të angazhimeve me Inter Miamin në MLS, Messi u rikthye në formacionin e “Albiceleste” dhe dhuroi dy asiste në fitoren ndaj Porto Rikos. Me këto dy pasime vendimtare, ai e çoi numrin e asistimeve me fanellën e Argjentinës në 60, duke kaluar brazilianin Neymar (59) dhe amerikanin Landon Donovan (58).

Sipas ESPN, kjo e vendos Messin në krye të listës së “krijuesve” më të mëdhenj në historinë e përfaqësueseve, që prej kohës kur statistikat e asistimeve filluan të regjistroheshin në mënyrë të besueshme në fillim të viteve 2000.

38-vjeçari nuk ndalet me kaq. Pasi theu një tjetër rekord ndërkombëtar, ai është në garë për të fituar çmimin MVP të MLS për herë të dytë në karrierë. Nëse ja del, do të bëhet vetëm lojtari i dytë në historinë e kampionatit amerikan që e fiton dy herë këtë trofe, pas Predrag “Preki” Radosavljević — dhe i pari që e arrin në dy sezone radhazi.

Ky rekord vjen fill pas rekordit të vendosur disa orë më parë nga Cristiano Ronaldo, i cili u bë lojtari me më shumë gola të shënuar në kualifikueset e Kupës së Botës.

Top Channel