
Pas deklaratës së Presidentit Bajram Begaj për kërkesën e PD-së që kërkon shkarkimin e tij, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi ka publikuar dokumentet, ku pretendon se e djali i presidentit Bajram Begaj, paguhet 30 mijë euro në vit nga kompania ku sigurohet Presidenca.
“Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë! Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!
Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.
Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit”-thuhet në reagimin e Bardhit.
Top Channel