
Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për duelin e fundit të kuqezinjve në fushatën Kualifikuese të Botërorit 2024 me Anglinë.
Sipas njoftimit të FSHF-së, këto bileta do të shpërndahen me short, njësoj si dueli Shqipëri-Serbi, vendim i marrë pas kërkesës së madhe për të siguruar një biletë në stadiumin “Arena Kombëtare” më 16 nëntor.
Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, duke ndjekur të njëjtën procedurë si në blerjet e mëparshme online.
Por ajo që bie në sy është çmimi i biletave. Duke parë që Shqipëria deri në ndeshjen e fundit mund ta ketë siguruar matematikisht vendin e dytë që të çon në “Play Off”, dueli me Anglinë do të jetë më shumë si një sfidë “luksi”.
Çmimet varijojnë nga 2,500-3,500 lekë të reja për tribunat në cep dhe prapa porte. Sa i përket tribunave përballë fushës, çmimet shkojnë deri në 9,000 lekë, ndërsa në tribunat VIP, një biletë kushton 15,000 lekë deri në 50,000 lekë në disa pjesë të caktuara të stadiumit.
Gjithashtu Federata ka publikuar dhe mënyrën e aplikimit dhe të përzgjedhjes së fituesve.
Si të aplikoni:
– Hyni në llogarinë tuaj në platformën ebileta.al në rast se keni një llogari ekzistuese ose në rast se nuk keni një të tillë, regjistrohuni paraprakisht për të vijuar më tej.
– Zgjidhni tribunën e dëshiruar në stadium.
– Plotësoni të dhënat personale në formularin përkatës.
* Lutemi të plotësoni saktë të dhënat sipas dokumentit tuaj të identifikimit, pasi hyrja në stadium do të bëhet me dokument identifikimi.
* Çdo tifoz i interesuar do të ketë mundësinë për të aplikuar vetëm për 4 bileta.
– Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.
– Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit të aplikimit.
*Kujdes/ Ky email konfirmimi nuk nënkupton që keni siguruar biletat për ndeshjen.
Procesi i përzgjedhjes:
– Përmes shortit elektronik do të zhvillohet një përzgjedhje automatike dhe e rastësishme.
– Të përzgjedhurit nga shorti do të njoftohen nëpërmjet një e-mail, ku do të gjejnë një link unik nëpërmjet të cilit mund të kryhet pagesa online.
*Ju do të keni vetëm 24 orë kohë për të kryer blerjen e biletave. Pas 24 orësh linku do të skadoj dhe ju duhet të bëni edhe një herë prej fillimit procedurën e aplikimit, më pas duhet të prisni në rast se do të përzgjidheni automatikisht ose jo.
– Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e e-mailit tuaj.
Top Channel