“Alarm” te Bayern-i, Barcelona dhe Reali nisin ‘El Clasicon” për titullarin e kampionëve të Gjermanisë

15/10/2025 17:57

Bayern Munich rrezikon të humbasë një tjetër nga lojtarët e saj kryesorë, pasi bisedimet për rinovimin e kontratës me Dayot Upamecanon kanë ngecur, duke hapur garën për nënshkrimin e tij mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Situata e mbrojtësit francez po tërheq gjithashtu interesin e Manchester United, duke përgatitur një betejë të fortë në prag të merkatos së dimrit.

26-vjeçari, pjesë thelbësore e mbrojtjes së Vincent Kompany, është i lidhur me klubin bavarez deri në vitin 2026, por negociatat për rinovimin kanë hyrë në një ngërç për shkak të kërkesave financiare. Sipas mediave gjermane, kampi i Upamecanos kërkon një pagë prej rreth 15 milionë eurosh në vit, si dhe një bonus të konsiderueshëm nënshkrimi — shifra që Bayern heziton t’i përmbushë plotësisht.

Presidenti i klubit, Herbert Hainer, ka theksuar dëshirën për ta mbajtur lojtarin në Mynih: “Negociatat për zgjatjen e kontratës po vazhdojnë. Sigurisht që duam ta kemi me ne për një kohë të gjatë.”

Megjithatë, raportet e fundit tregojnë se përfaqësuesit e francezit po mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre. Drejtori sportiv Max Eberl po udhëheq përpjekjet për të arritur një marrëveshje para se lojtari të bëhet i lirë të negociojë paraprakisht me klube të huaja në janar.

Sipas Foot Mercato, si Barcelona ashtu edhe Real Madrid e shohin Upamecanon si një përforcim ideal për mbrojtjen. Madje, media franceze shkruan se “një El Clasico i ri po luhet në tregun e transferimeve, me Upamecanon në rolin e arbitrit”.

Real Madrid e sheh si pasuesin e mundshëm të Rüdiger dhe Alaba, ndërsa Barcelona synon ta afrojë për të forcuar një prapavijë që ka vuajtur nga dëmtimet. Në prapaskenë, të dy gjigantët spanjollë po lëvizin shpejt për të siguruar firmën e mbrojtësit francez përpara rivalëve të tjerë europianë.

Top Channel