UEFA po mendon për një ndryshim të formatit të kualifikuesve për Kampionatet Botërorë dhe Evropianë.

Kjo është ajo që publikon e përditshmja franceze ‘L’Equipe’ sipas së cilës, qeveria e futbollit evropian kërkon të evitojë që ndeshjet të jenë të mërzitshme dhe të zhbalancuara e sidomos dëshiron të ofrojë më shumë ndeshje direkte mes skuadrave të mëdha.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, UEFA në fakt po e diskuton prej kohësh këtë gjë dhe po mendon që të aplikojë një model të ngjashëm me atë të Ligës së Kampioneve. Presidenti Alkeksander Ceferin e preku këtë çështje edhe në Samitin e Futbollit në Lisbonë teksa foli për mundësinë e një formati të ri më modern. Në mënyrë të veçantë, Nations League shihet si një mënyrë kualifikimi ose përshtatja e një sistemi të ngjashëm me Champions League duke krijuar një grup të vetëm me 54 skuadra ose dy grupe me nga 27.

Në këtë mënyrë do të kishte më shumë sfida mes kombëtareve më të rëndësishme, por pa prekur shanset e skuadrave më të vogla. Por ky format nëse do të miratohet, do të hyjë në fuqi vetëm pas vitit 2028 kur skadojnë të gjitha kontratat aktuale televizive.

Për më tepër, një format i ri i kualifikueseve sipas modelit të Ligës së Kampioneve do të sillte avantazhe ekonomike edhe për vetë Federatat përmes marrëveshjeve televizive duke pasur sfida më tërheqëse dhe më spektakolare

Top Channel