Shqipëria dhe Kosova kthehen në “ankth” për trajnerët, edhe rivali i ‘Dardanëve’ shkarkon trajnerin pas disfatës në Goteborg

14/10/2025 17:29

Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Jon Dahl Tomasson, pas një fillimi zhgënjyes në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Suedia renditet aktualisht në fund të Grupit B, me vetëm një pikë në katër ndeshje, pas humbjes 1-0 ndaj Kosovës të hënën.

Ky shkarkim vjen dy ditë pasi Shqipëria mundi Serbinë, ku trajneri i kësaj të fundit dha dorëheqjen pikërisht prej kësaj disfate.

Skuadra, që në letër ka një repart sulmues të yjeve si Alexander Isak (Liverpool) dhe Viktor Gyökeres (Arsenal), ka arritur vetëm një barazim me Slloveninë, ndërsa ka humbur 2 herë ndaj Kosovës dhe një herë me Zvicrën.

Tomasson, ish-trajner i Blackburn Rovers dhe ish-sulmues i Newcastle United, u bë trajneri i parë i huaj në historinë e kombëtares suedeze, pasi mori drejtimin në shkurt 2024.

“Vendimi bazohet në faktin që kombëtarja nuk ka arritur rezultatet që shpresonim,” – thuhet në deklaratën e kryetarit të Federatës Suedeze të Futbollit, Simon Astrom.

“Ende kemi shanse për një vend në play-off në mars, dhe përgjegjësia jonë është të sigurojmë kushtet më të mira të mundshme për ta arritur këtë objektiv. Për këtë arsye, kemi vlerësuar se nevojitet një drejtim i ri në formën e një trajneri të ri.”

Suedia do të përballet në vazhdim me Zvicrën në transfertë dhe më pas do të presë Slloveninë, në përpjekje për t’u afruar me Kosovën, e cila mban vendin e dytë me 7 pikë në Grupin B.

Top Channel