Pretendimi i Bardhit se u përjashtua opozita, zbulohet letra e Kushtetueses për Kuvendin: Çështjen do ta shqyrtojmë pa praninë e palëve

14/10/2025 18:40

Më 16 tetor është parashikuar të mbahet seanca për shqyrtimin e afateve të mandateve të Gjykatës kushtetuese.

Disa ditë më parë, opozita i është drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi, që në këtë seancë të ketë edhe një përfaqësues, sipas parashikimeve ligjore.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja në fjalë të shqyrtohet në një seancë plenare që zhvillohet vetëm mbi bazë dokumentesh, pa praninë fizike të palëve.

Kjo është një procedurë e parashikuar në nenin 33 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe përdoret për raste kur nuk ka nevojë për debat apo prova shtesë, por mjafton dokumentacioni i depozituar.

Seanca do të zhvillohet bazuar në një kërkesë të Presidentit të Republikës, i cili ka kërkuar interpretimin e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues.

Top Channel