
Pas denoncimit të Fiks Fare të një rasti ryshfeti në Rinas, ka reaguar Policia e Shtetit.
Një bashkëpunëtor i Fiks Fare takoi një punonjës në Rinas, i cili i prezantohet si Kevin Kosova. Takimi i parë zhvillohet në një lokal në Tiranë, teksa bashkëpunëtori i Fiksi i thotë se duhet të lëvizë. Kevini i bën foto pasaportës dhe e orienton që të presë biletën. Ai merr në telefon një tjetër person, duke i thënë se “o daj ma shih pak këtë që të çova”. Bashkëpunëtori i bën me dije se ka probleme vetëm me afatet, ndërkohë që punonjësi i thotë se “mos e vra mendjen për afatet”.
Nga biseda del se polici dhe bashkëpunëtori i Fiksit janë takuar edhe herë të tjera, në Rinas, në një tjetër episod të dyshimtë. “Unë sa theva eurot dhe më tha një çun se fol njëherë me këta (policët)” i thotë bashkëpunëtori për herën që janë takuar.
Policia thotë se në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku dy punonjës të Policisë Kufitare, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, dyshohen se janë përfshirë në veprime korruptive, “ju bëjmë me dije se:
Drejtoria e Standardeve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të nenit 163, pika 3 germa a dhe pika 8 e Rregullores së Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor K. K., me detyrë ndihmës specialist kontrollor, dhe Inspektor E. L., me detyrë ndihmës specialist kontrollor, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera për ketë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësve të Policisë të përfshirë në këtë rast.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj dhe i fton sërish ata të vijojnë t’i raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.”
Top Channel