
Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shkruar një tjetër faqe të artë në karrierën e tij në peshat e rënda, duke triumfuar të premten kundër kroatit Abel Pesut në një përballje spektakolare që mbajti publikun me emocione deri në fund.
Në një ndeshje plot intensitet nga raundi i parë deri në të katërtin, Hysa arriti të sigurojë dy tituj të rëndësishëm ndërkombëtarë. Rivali hodhi ‘peshqirin’ e bardhë në ring duke u dorëzuar, ndërsa Hysa në 24 përballje në karrierë, ka po kaq fitore. I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, Nelson Hysa rrëfeu më shumë për emocionet e ndeshjes por jo vetëm…
Je tërhequr ndonjëherë në ndeshje?
Hysa: Asnjëherë, e kam mbaruar dhe me dorë të thyer. E kam fituar ndeshjen me dorë të thyer.
A ke dëshirë që boksin t’ia mësosh edhe djalit tënd?
Hysa: Kam shumë dëshirë t’ia mësoj djalit. Kam dëshirë t’ia mësoj çdo vajze dhe djali të vogël, sidomos vajzave sepse të krijon një vetëbesim.
Mbas një ndeshje të vështirë si rikuperoheni?
Hysa: Ne marrim vizitë mjekësore aty ku kemi probleme. Këtë radhë kisha problem dorën dhe nofullën. Bëjmë kontrollet rutinë dhe sipas dëmtimit marrim një pushim aktiv. Shkojmë në pishina, luajmë tenis. Pas ndeshjeve marrim si ushqim atë që kemi humbur, elektrolite, proteina, fruta. Ndeshjet e nivelit të madh kanë nevojë për kujdes të madh, rikuperim të madh.
Kë telefonon gjithmonë pas një ndeshje?
Hysa: Që prej fillimeve, marr mamin gjithmonë, se ka merak nëne. Kurse nusen e kam gjithmonë me vete. /TAR
Top Channel