
Prej orës 10:00 të ditës së sotme, krerët më të lartë të Drejtësisë kanë nisur raportimet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale lidhur me punën e bërë gjatë vitit 2024.
I pari që u ul përpara deputetëve ishte ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili e mori detyrën rreth një muaj më parë. Gjatë raportimit ai u përplas me deputetët demokratë, të cilët e pyetën nëse ishte produkt i Soros, ndërkohë që ministri u shpreh se gjatë kohës së ndjekjes së studimeve, e vetmja mundësi për të ndjekur shkollën ishte mbështetja përmes organizatave të huaja.
Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela deklaroi se mbi 2 mijë persona janë përgjuar gjatë vitit 2024 në kuadër të hetimeve të ndërmarra.
Pas orës 16:00 nisi raportimin kreu i SPAK, Altin Dumani. Korrupsioni shënoi rënie gjatë vitit 2024, me dhjetëra zyrtarë të lartë të hetuar dhe miliona euro pasuri kriminale të sekuestruara e konfiskuara. Janë këto rezultatet e punës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgjatë vitit 2024, që u publikuan nga kreu i këtij institucioni, Altin Dumani.
Kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve tha se çështja “McGonigal” është në fazën e hetimit paraprak. I pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso, Dumani tha se lidhur me këtë çështje janë kryer hetime të shumta në Shqipëri dhe tashmë pritet një përgjigje edhe për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja.
Në raportimin e gjatë në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani ka treguar për herë të parë edhe momentet kur teksa ka qenë në punë, institucioni është rrethuar nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës që kërkonin lirimin e Erion Veliajt. Ishte një prej seancave në GJKKO, kur po vlerësohej masa ndaj ish-kryebashkiakut, kur godina u rrethua nga dhjetëra protestues pro Veliajt, të cilët bllokuan derën e godinës, çka ua bëri të vështirë prokurorëve dhe gjyqtarëve të largoheshin pas përfundimit të seancës.
20:55 Arrestimi i Ilir Metës, Dumani: Linte shumë për të dëshiruar, por nuk jemi ne përgjegjës
Në listën e gjatë të pyetjeve që Tedi Blushi kishte përgatitur për Altin Dumanin, ishte dhe ajo mbi çështjen e ish-presidentit Ilir Meta, i cili u arrestua një vit më parë me forcë nga dhjetëra policë pasi GJKKO caktoi ndaj tij masën arrest me burg. Të paktën 10 forca policie, pjesa më e madhe me maska, e ndaluan automjetin me të cilën lëvizte kreu i Partisë së Lirisë, i shoqëruar nga Sekretari Organizativ i PL. Këtë moment e komentoi edhe kreu i SPAK sot teksa raportonte te Komisioni i Ligjeve për të cilin tha se “linte për të dëshiruar”.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Lajmin e ka bërë me dije sot Altin Dumani, gjatë raportimit para Komisionit të Ligjeve. Kryeprokurori tha se edhe ish drejtori i KESH është marrë i pandehur.
Në orët e fundit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i është drejtuar Dumanit me disa pyetje, ku ka përmendur edhe çështjen e mikro-kredive dhe përgjegjësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në këtë rast.
Në orët e fundit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i është drejtuar Dumanit me një pyetje mbi një deklaratë që kreu i SPAK kishte bërë një vit më parë. Kapri i solli në vëmendje Dumanit deklaratën mbi përfshirjen e elementëve të policisë së shtetit në grupet kriminale.
19:09 Ka nisur SPAK hetim për ‘Arubën’? Dumani i përgjigjet deputetes së PD: Nuk e njoh si çështje
Deputetja e opozitës Elda Hodi i është drejtuar Altin Dumanit në komisionin e Ligjeve, nëse SPAK ka nisur hetim për çështjen “Aruba”.Lidhur me këtë këtë çështje, opozita pretendon një takim të supozuar mes personazheve të botës së krimit në vitin 2019 në ishullin holandez të Arubës me përfaqësues të qeverisë.
Gjatë Komisionit të Ligjeve, Ivi Kasi i është drejtuar Altin Dumanit me disa pyetje duke e vënë theksin tek perceptimi i qytetarëve për SPAK, që sipas tij e shohin Prokurorinë e Posaçme si të njëanshme në gjykimin e saj.
Kryeprokurori Altin Dumani deklaroi sot para Komisionit të Ligjeve se kur t’I përfundojë mandati si prokuror i SPAK, nuk do të rikandidojë. Teksa prezantoi raportin me punën e SPAK gjatë 2024, Dumani ngriti shqetësimin që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar.
17:35 Bylykbashi kritikon task-forcën e SPAK, Dumani: Nuk ka dështuar, por ka nevojë për përmirësim
Në mbledhjen e përbashkët për Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, Oerd Bylykbashi i është drejtuar Altin Dumanit me disa kritika kundër task-forcës së SPAK, duke iu referuar edhe disa rasteve konkrete.
“Grupet janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Grupet janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre”.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Ligjore, foli edhe për çështjen e sigurisë nëpër institucionet e drejtësisë. Ai tha se vrasja e gjyqtarit Kalaja “na bëri që të rikonsiderojmë të gjitha masat e sigurisë që kemi nëpër institucione”. Çela shtoi se kushtet nuk janë optimale dhe se sigurimi i perimetrit jashtë institucionit me kompaninë “Illyrian Guard” nuk ka rezultuar efektiv.
16:38 Raportimi vjetor në Komisionin e Ligjeve, Dumani: SPAK ka rritur volumin e punës gjatë 2024
“SPAK ka rritur dhe ka përballur të gjithë volumin e punës gjatë vitit 2024.Në vitin 2024 SPAK ka pasur në vëmendje ndjekjen e rekomandimeve të BE, të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimit të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit”.
“Referuar të dhënave, një numër i konsiderueshëm personash janë hetuar pas masë sigurimi. Krimi i organizuar ka marrë trajtim më të ashpër. Gjatë vitit 2024 janë ekzekutuar 79 vendime penale të formës së prerë”.
“SPAK ka pasur në vëmendje ndjekjen e rekomandimeve. Sa i takon rekomandimit për sekuestrot, janë sekuestruar 65.5 mln euro pasuri gjatë vitit 2024, 60% më shumë se në vitin 2013. Rekomandimi nr 3 i OSBE, SPAK forcoi bashkëpunimin me Europol, Eurojust”.
Deputeti i PD, Saimir Korreshi i është drejtuar me disa pyetje Prokurorit të Përgjithshëm në Komisionin e Ligjeve, Olsian Çela. Por edhe këtë herë demokrati pyetjet i ka shoqëruar me ironi dhe humor, që sërish i janë pasuar nga kryetari i Komisionit Ulsi Manja. “Më dukeni si magazinier pa magazinë”, i tha ai kryeprokurorit, teksa më pas ka ndërhyrë Manja për t’i thënë që pyetjet t’i bëjë pa komente.
‘’Për çështjen e kodit penal kam mbajtur një qëndrim. Momenti që u hodh për diskutim, i cili është parimor, nuk dua të hyj në detaje, por dua ta nis si një jurist. Kodi Penal më ngarkon të përfshihem qoftë edhe në një debat. Nëse ju arrini të pyesni punonjës të drejtësisë se kush është problemi me Kodin Penal që kemi. Unë ende sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka Kodi penal aktual, është një kod që nga 1995 ka gjetur zbatim, qoftë me disa ndryshime e përmirësime të bëra, ka gjetur zbatim nga gjykatat dhe prokuroritë”.
“Mënyra e organizmit sot në Prokurori, decentralizimi ka krijuar keqkuptim në nivelin organizativ, dhe këto nuk i zgjidh dot ILD. Sot sistemi ka shumë nevoja, për rritjen e cilësisë së ligjeve që operojnë institucionet. Ka raste kur prokurorët e shkallës së parë ankohen për vendimet e Apelit, kemi arrit në një ditë kur prokurorët vënë në diskutim vendimin e Apelit. I drejtohen madje dhe ambasada me shkresa. Kjo është e pranueshme, kjo vjen se kemi krijuar një sistem ku prokurorët, sidomos të rinjtë nuk kuptojnë rolin dhe vendin e prokurorit”, tha Çela.
Në seancën dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raporton mbi gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2024. Gjatë fjalës së tij, kryeprokurori u shpreh se në 2024, janë shqyrtuar 61167 materiale, 47576 procedime penale.
Gjatë raportimit të ministrit të Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, deputetët u përfshinë në debat kur Elda Hoti e PD-së pyeti ministrin nëse ishte produkt i Soros. Besfort Lamallari, në përballjen e parë me deputetët në Kuvend, tha se ai vetë nuk kishte marrë fonde nga ekselenca, megjithëse kishte qenë student ekselent dhe mënyra e vetme për të ndjekur studimet ka qenë përmes fondeve të partnerëve.
Por edhe në këtë komision, pavarësisht debateve, nuk kanë munguar as batutat dhe ironitë, e këtë herë mes drejtuesit të komisionit Ulsi Manja dhe anëtarit të PD, deputetit Saimir Korreshi. Teksa Manja i dha fjalën për t’iu drejtuar me pyetje ministrit, i tha me batutë që të mos i shoqërojë me komente. “Pa shumë komente te fjala, se ti çdo koment e merr me referencë nga Lushnja, po s’besoj se do na hyjë në punë te Kodi Penal”, tha Manja me batutë.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, ka paraqitur raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024, ku i është përgjigjur dhe pyetjeve nga anëtarët e këtij komisioni. Gjatë prezantimit të raportit, ministri u shpreh se Shqipëria ka pasur në 2024 rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe sekuestrimet pasurore të 5 viteve të fundit.
Top Channel