Grupi i PD ka zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku pretendon se janë kompromentuar.

Sipas Grupit Parlamentar të PD zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; dhe vi) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.

Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.

Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Top Channel