
Një nga kombet më të vogla mund të gjendet përpara një skenari pothuajse të paimagjinueshëm përpara Kupës së Botës.
Një komb europian që i ka humbur të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, mund të ketë shanse më të mira për t’u kualifikuar në turne nëse pëson edhe një tjetër humbje ndaj Rumanisë.
Shteti më i vogël në UEFA, San Marino, është i njohur si një nga kombet më të dobëta në historinë e futbollit ndërkombëtar dhe nuk fitoi asnjë ndeshje zyrtare deri në shtator të vitit të kaluar, kur mundi Lihtenshtejnin në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Ajo fitore erdhi 34 vjet pas ndeshjes së tyre të parë zyrtare, me të tria fitoret e tyre që kanë ardhur kundër të njëjtit kundërshtar.
I vendosur në Grupin H në kualifikimet e Kupës së Botës, San Marino – skuadra e së cilës përbëhet kryesisht nga lojtarë gjysmë-profesionistë – i ka humbur të shtatë ndeshjet e saj, duke pësuar 32 gola dhe shënuar vetëm një.
Skuadra e Roberto Cevoli-t, më e dobëta sipas renditjes së FIFA-s, humbi 4-0 ndaj Qipros të shtunën, por tani është zbuluar se humbja ndaj Rumanisë në ndeshjen e fundit mund të çojë në një skenar të paimagjinueshëm.
Rumania është e treta në grup, tre pikë pas Bosnjë dhe Hercegovinës, me vetëm një ndeshje të mbetur.
Të dyja skuadrat përballen më 15 nëntor, përpara se Bosnja të luajë disa ditë më vonë kundër Austrisë, kryesuese e grupit, ndërsa San Marino do të luajë me Rumaninë.
Nëse Rumania përfundon e dyta në Grupin H, ajo do të kualifikohej për “play-off”-et e Kupës së Botës, ku do të marrin pjesë gjithsej 16 skuadra.
Si mund të shkojë San Marino në Kupën e Botës?
12 nga ato skuadra do të jenë ekipet e renditura të dyta në grupet e kualifikimeve, ndërsa katër vendet e tjera do t’u takojnë katër fitueseve të grupeve të Ligës së Kombeve të UEFA-s që nuk janë kualifikuar tashmë.
Në mënyrë të pabesueshme, San Marino fitoi grupin e saj të Ligës së Kombeve në sezonin 2024/25 – duke kryesuar Grupin D1 të Ligës D me shtatë pikë nga katër ndeshje kundër Gjibraltarit dhe Lihtenshtejnit.
Kjo u dha atyre promovimin në Ligën C, por gjithashtu u jep një mundësi reale për një paraqitje historike në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara.
Rumania gjithashtu e fitoi grupin e saj në Ligën e Kombeve, duke dominuar Grupin C1 me maksimumin e pikëve nga gjashtë ndeshje dhe duke siguruar promovimin në Grupin B.
Prandaj, në një kthesë të çuditshme ngjarjesh, është në interesin më të madh të San Marinos të humbasë thellë ndaj Rumanisë në mënyrë që kjo e fundit të marrë një nga vendet e “play-off”-it që u jepen fitueseve të grupeve të Ligës së Kombeve.
Ky “sukses” nuk do të ishte veçanërisht i vështirë për San Marinon, që gjatë viteve ka pësuar shumë humbje të rënda.
Ata më pas do të përballeshin me dy ndeshje “play-off” kundër ekipeve më të forta nga divizionet më lart, ku dy fitore do t’i dërgonin ata në turneun që zhvillohet në Amerikën e Veriut vitin e ardhshëm.
Për shkak të sistemit të UEFA-s, San Marino mund të futet gjithashtu në “play-off” nëse Suedia ose Irlanda e Veriut përfundojnë në dy vendet e para të grupeve të tyre, pasi edhe ato ishin fituese grupesh në Ligën e Kombeve.
E pamundura mund të bëhet e mundur për San Marinon, që ka një shans për të krijuar një nga arritjet më të mëdha në historinë e sportit.
Megjithatë, një fitore e Bosnjës ndaj Rumanisë më 15 nëntor mund t’i shkatërrojë ëndrrat e San Marinos.
48 skuadra do të kualifikohen për Kupën e Botës, prej të cilave 16 do të jenë përfaqësuese të UEFA-s.
Top Channel