Llagami kërkoi pezullimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për anëtarin e Kushtetueses, Gjykata shpall mos juridiksion

13/10/2025 11:06

Gjykata Administrative ka shpallur moskopetencë për kërkesën e Naureda Llagamit mbi pezullimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se Llagami pretendonte se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, dhe kështu do të kishte 9 votat që do t’i jepnin postin në Kushtetuese. Një votë e pavlefshme e mjaftueshme që ajo të fitonte, kishte dy shënime mbi emrin e saj.

Administrativja shpalli moskopetencë.

Në vendimin e Gjykatës Administrative që Anila Hoxha e disponon dhe ku çështja Llagami përfundon në Kushtetuese thuhet ” Duke iu rikthyer rastit objekt gjykimi, gjykata vlerëson se kërkesa është e papranueshme për tu marrë në shqyrtim për mungesë juridiksioni, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë (Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë) është akt me natyrë juridiko-kushtetuese dhe jo juridiko-administrative dhe kurrsesi nuk mund të kundërshtohet apo të pezullohet në gjykatën administrative.

Në sistemin shqiptar, ligjvënësi ka vendosur ndarje të qartë midis akteve të pushtetit ekzekutiv (të kontrollueshme nga gjykatat administrative), dhe akteve të pushtetit kushtetues (të pakontrollueshme nga gjykatat administrative). Ky kufi është i sanksionuar qartë qoftë në nenin 7 të Kushtetutës, që parashikon ndarjen e pushteteve, qoftë në nenin 7 të ligjit nr. 49/2012, që kufizon juridiksionin administrativ vetëm mbi aktet e organeve administrative në ushtrimin e funksioneve ekzekutive. Pikërisht, vendimi i Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë nuk përbën një ushtrim të funksioneve ekzekutive të kontrollueshme nga gjykatat administrative, por funksion kushtetues të një organi që vepron në nivel të barabartë institucional me Presidentin e Republikës dhe Kuvendin.

Gjykata thekson se Vendimi, me të cilin Mbledhja e Posaçme e Gjykatës së Lartë zgjedh një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk është akt administrativ, por akt kushtetues me natyrë institucionale, qe buron nga neni 125 i Kushtetutës dhe neni 7/a, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar me ligjin nr.99/2016)

Ky akt është pjesë e procedurës për formimin e një organi kushtetues. Ai nuk krijon, ndryshon apo shuan te drejta individuale subjektive, siç parashikon ligji nr. 49/2012 për aktet administrative. Ai është shprehje e kompetencës kushtetuese të Gjykatës së Lartë si organ emërtese dhe jo ushtrim i një funksioni ekzekutiv administrativ. Pra, juridikisht dhe teorikisht, vendimi i Mbledhjes se Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë është akt me natyrë të pastër kushtetuese, i përjashtuar nga juridiksioni i zakonshëm gjyqësor.

Sipas nenit 127, pika 1, shkronja “d” të Kushtetutës, vetëm Gjykata Kushtetuese është kompetente të vendosë për pazgjedhshmërinë e një gjyqtari të saj, papajtueshmërinë e mandatit apo vlefshmërinë e emërimit. Prandaj, kërkuesja mundet të kërkojë pezullimin apo shfuqizimin e aktit objekt gjykimi duke vënë në lëvizje vetëm Gjykatën Kushtetuese dhe jo gjykatën administrative. Pretendimet e saj për pavlefshmërinë e emërimit të anëtarit tashmë të zgjedhur, z.Asim Vokshi, mundet të jenë të pranueshme për shqyrtim pranë juridiksionit kushtetues. Asnjë gjykatë tjetër, përfshirë atë administrative, nuk ka kompetencë të vlerësojë procesin e përzgjedhjes apo të emërimit të një Gjyqtari të GJK. Kontrolli i procesit para emërimit është institucional (brenda organit emërtues), ndërsa kontrolli pas emërimit është kushtetues (nga vetë Gjykata Kushtetuese).

Kësisoj, nëse Gjykata Administrative e Shkallës së Parë do të pranonte të shqyrtonte kërkesën për pezullimin e vendimit objekt gjykimi, akt me natyrë të pastër juridiko-kushtetuese, sikurse është ai i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për zgjedhjen e z.Asim Vokshi anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ajo do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Në njëfarë mënyre, gjykata do t’i hapte rrugën një ndërhyrjeje të pashembullt mbi gjithë arkitekturën shtetërore.

Thënë ndryshe, një gjykatë e juridiksionit të zakonshëm sikurse është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, do të vihej mbi Gjykatën e Lartë dhe madje, në trajtë të tërthortë, edhe mbi vetë Gjykatën Kushtetuese. Përveçse do të kompromentonte integritetin institucional të Gjykatës së Lartë, gjykata administrative do shkelte katërcipërisht parimin e ndarjes së pushteteve duke fshirë kufijtë midis ligjit dhe “nënës” së ligjeve, Kushtetutës. Kjo shkrirje kufijsh jo vetëm që do ishte antikushtetuese, porse gjithashtu rasti i parë devijues nga modeli evropian i kontrollit të kushtetutshmërisë.”

Më tej thuhet :Gjykata vlerëson të sjellë në vëmendje të palëve edhe jurisprudencën e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë mbi këtë çështje se dispozitat ligjore të sjella në vëmendje më lart vlejnë vetëm kur diskutohet juridiksioni gjyqësor kundër juridiksionit administrativ apo kompetenca ndërmjet gjykatave të pushtetit gjyqësor. Këto dispozita nuk mund të zbatohen për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Vendimmarrje të tilla të gjykatave përbëjnë disponime që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin.

Kësisoj, në Vendimin Nr.00-2010-1351 (436), datë 02.12.2010 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, arsyetohet se:

“Sipas nenit 61 të Kodit të Procedurës Civile gjykata, “kur konstaton se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes, kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos moskompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente”. Kjo dispozitë përmban një rregullim procedurial të zbatueshëm nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm. Rasti në shqyrtim nuk është i tillë dhe nuk ka të bëjë me kompetencën lëndore të ndonjë gjykate tjetër brenda sistemit të gjykatave të zakonshme. Po kështu, në zbatim korrekt të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile dhe të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, gjykata e shkallës së parë nuk mund t’i dërgojë çështjen për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, me arsyetimin se i mungon kompetenca lëndore për shqyrtimin e saj”.

Përfundimisht, kjo gjykatë thekson se kërkuesja ka ushtruar kërkesë për pezullim apo padi mbi një akt të natyrës juridiko-kushtetuese ndaj të cilit Kushtetuta dhe ligji ka krijuar një mjet ekskluziv dhe të posaçëm juridik ankimi, konkretisht kërkesa në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të thotë se për çdo të drejtë apo interes të ligjshëm të çështjeve që Kushtetuta në nenin 131 dhe 134 të saj ka krijuar këtë mjet juridik, këto çështje hyjnë në juridiksionin ekskluziv të Gjykatës Kushtetuese dhe se si të tilla përjashtojnë mundësinë e aktivizimit të juridiksionit gjyqësor pasi të drejta të tilla apo interesa të tilla të ligjshme janë të papaditshme. Po të pranohet e kundërta, atëherë do të mbivendosej juridiksioni i pushtetit gjyqësor me juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në vendimin Nr. 00-2020-147, datë 26.06.2020, në të cilin, ndër të tjera, arsyetohet se:

“Për rrjedhojë Kolegji konkludon se në këtë rast pala paditëse ka ushtruar padi ndaj një akti administrativ ndaj të cilit Kushtetuta dhe ligji nuk ka lejuar të ushtrohet padi, por ka përcaktuar se ndaj tyre ushtrohet ankim/kërkesë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe/apo Gjykatën Kushtetuese. Për rrjedhojë Kolegji konkludon se në këtë rast jemi para një akti administrativ të papaditshëm dhe se për rrjedhojë padia nuk mund të ngrihej dhe se Gjykata Administrative e Apelit, duhet të vendoste, në bazë dhe për zbatim të nenit 127 dhe 299 shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 39 të Ligjit nr. 49/2012, mospranimin e padisë. Në kushtet kur Gjykata Administrative e Apelit ka ometuar nga detyra kushtetuese dhe ligjore për të marrë vendimin jopërfundimtar lidhur me këto kërkime të padisë, Kolegji vlerëson se kjo vendimmarrje duhet të merret nga ana e Gjykatës së Lartë në këtë gjykim. Kolegji vlerëson se shkaqet absolute të shuarjes së gjykimit, sikurse janë juridiksioni, paditshmëria apo procedueshmëria, merren në shqyrtim nga gjykata kryesisht në çdo fazë dhe shkallë gjykimi.”

Përfundimisht, sa më lart u arsyetua, kjo gjykatë disponon me nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor dhe e deklaron kërkesën për sigurim padie të kërkueses znj.Naureda Llagami, si të papranueshme për këtë shkak, konform nenit 9 të ligjit nr.49/2012 dhe nenit 59 të KPC. Ky disponim është jo vetëm një detyrim ligjor i kësaj gjykate, por një akt për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të vetë shtetit të së drejtës.

Top Channel