Itali–Ukrainë, një histori spiunazhi modern/ Si një përbërës italian mund të jetë kthyer në armë të heshtur të Rusisë?

13/10/2025 14:05

Një hetim i shërbimeve sekrete ukrainase ka zbuluar se një kompani kimike nga Italia mund të ketë ndihmuar pa dijeni industrinë ushtarake të Rusisë.

Në qendër të gjithçkaje: një përbërës i përdorur në prodhimin e raketave balistike Iskander-M.

Ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, teknologjia ushtarake e Moskës po tregon gjithnjë e më shumë efikasitet. Vetëm 6% e raketave balistike të lëshuara në shtator janë kapur nga mbrojtja ajrore ukrainase. Pjesa tjetër ka goditur objekte strategjike e civile, duke përfshirë edhe godinën e Bashkimit Evropian në Kiev.

Një nga armët më të sofistikuara që përdor Rusia është raketa Iskander-M, e aftë të shmangë sistemet e mbrojtjes falë shpejtësisë së lartë dhe strukturës së saj të ndërtuar me fibër karboni. Por sekreti i vërtetë i kësaj teknologjie qëndron në një përbërës kimik të quajtur “resinë epokside”, pa të cilën kjo fibër nuk mund të përforcohet dhe të përballojë temperaturat ekstreme.

Dyshimet ndaj një kompanie italiane

Sipas Këshillit për Sigurinë Ekonomike të Ukrainës, Italia ka qenë furnizuesja më e madhe në Evropë e këtij materiali për Rusinë, gjatë periudhës janar–shtator 2024. Në listë del emri i një kompanie të vetme: Sir Industriale, me qendër në Macherio të Brianza-s, afër Milanos.

Hetimi tregon se resinat e eksportuara nga kjo kompani kanë përfunduar në kompani ruse të lidhura me zhvillimin e raketave Iskander, si Uralprotekt, Prime Top dhe të tjera që bashkëpunojnë me byronë ruse të armëve KBM.

Reagimi i kompanisë

Në një përgjigje zyrtare për median, drejtuesi i kompanisë italiane, Marco Bencini, ka theksuar se produktet e eksportuara kanë qenë të destinuara për përdorime civile, si prodhimi i bojërave për konserva apo për përpunimin e çelikut, dhe jo për industrinë ushtarake.

Ai shtoi gjithashtu se në kohën kur janë realizuar eksportet, nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor nga Bashkimi Evropian për këtë lloj materiali. Sanksionet ndaj resinave epokside hynë në fuqi vetëm më 20 korrik 2024, pra çdo aktivitet i mëparshëm ka qenë teknikisht i ligjshëm.

Top Channel