
India dhe Kanadaja kanë rënë dakord për të ndërmarrë hapa konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, pas një periudhe tensioni të ashpër të shkaktuar nga vrasja e një zyrtari në tokën kanadeze në vitin 2023.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare në Indi, ku u takua me homologun e saj S. Jaishankar dhe kryeministrin Narendra Modi. Ky i fundit theksoi se vizita do të shërbejë për t’i dhënë një impuls të ri partneritetit mes dy vendeve.
Kriza diplomatike shpërtheu vitin e kaluar kur kryeministri i atëhershëm kanadez, Justin Trudeau, akuzoi publikisht Indinë për përfshirje në vrasjen e Hardeep Singh Nijjar, akuza që India i mohoi kategorikisht. Si pasojë, të dy vendet pezulluan shërbimet e vizave dhe dëbuan diplomatët përkatës.
Pas takimeve në Delhi, të dyja palët njoftuan një sërë masash për përmirësimin e marrëdhënieve, përfshirë rifillimin e diskutimeve në nivel ministror mbi tregtinë dhe investimet, si dhe rikthimin e Forumit të Drejtorëve Ekzekutivë Kanada-Indi, që synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Në deklaratën e përbashkët u theksua se ringjallja e partneritetit dypalësh do të krijojë mundësi të reja ekonomike dhe do të ndihmojë në përballimin e sfidave që rrjedhin nga ndryshimet në skenën globale.
Zbutja e marrëdhënieve ka nisur të ndihet këtë vit pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Mark Carney. Në qershor, Carney dhe Modi zhvilluan një takim në kuadër të samitit të G7 në Kanada, ndërsa në muajt pasues, të dy vendet emëruan ambasadorë të rinj.
Anand dhe Jaishankar u takuan gjithashtu në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku u vunë themelet për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Shohim në Kanada një ekonomi plotësuese, një shoqëri të hapur dhe një partner të rëndësishëm në rajonin Indo-Paqësor”, tha ministri indian Jaishankar, duke theksuar se ka hapësirë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Anand, nga ana e saj, shprehu përkushtimin e Kanadasë për forcimin e lidhjeve me Indinë, sidomos në kuadër të strategjisë së re kanadeze për Indo-Paqësorin.
Gjatë vizitës së saj, Anand do të takohet edhe me Ministrin Indian të Tregtisë, Piyush Goyal, për të diskutuar forcimin e lidhjeve tregtare. Më pas, ajo do të udhëtojë në Mumbai për të zhvilluar takime me udhëheqës të biznesit rreth mundësive ekonomike dhe investimeve në rajon.
Vizita do të vazhdojë me ndalesa në Kinë dhe Singapor, si pjesë e strategjisë më të gjerë të Kanadasë për thellimin e angazhimit në rajonin Indo-Paqësor.
Top Channel