Gara e fotografëve në Fier, çmimin e madh e fiton një iranian. Kameramani i TCH merr vendin e tretë

13/10/2025 20:07

Në Fier, mbrëmja e çmimeve të Fokus 16 ka përmbyllur ditët e një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare të fotografisë artistike në vend.

Në hollin e Teatrit “Bylis” dhe në galerinë “Vilson Kilica” u ekspozuan punimet e 208 fotografëve nga 58 vende të botës, duke sjellë për publikun histori, ndjenja dhe realitete që kalojnë kufijtë e një imazhi.

Çmimin e parë në kategorinë “Temë” e fitoi fotografi iranian Majid Hojati, me veprën “Fundi i një perspektive si vizion”. Në këtë edicion u nderuan edhe në kujtim Alqi Golkoshi dhe Leon Cika, për kontributin e tyre të vyer në zhvillimin e fotografisë shqiptare.

Arben Alliaj, drejtor i Fokus 16: “Fokus nisi si një nismë lokale vite më parë, për t’u shndërruar sot në një laborator të shpirtit njerëzor…”.

Mbrëmja e çmimeve u shoqërua me interpretime muzikore instrumentale dhe popullore, si një përqafim mes artit vizual dhe trashëgimisë që jeton përmes tingujve. Ndër fituesit shqiptarë, juria veçoi me çmime të treta fotografët Neritan Trifoni në kategorinë “Njerëzit” dhe Vlasov Sulaj në kategorinë “Temë”.

Në morinë e imazheve, u reflektuan plagët e botës moderne  dhimbja, uria dhe pasojat e konflikteve të ngrira në një kornizë, si çaste pa kufij.

Në një kohë kur imazhi dominon komunikimin dhe teknologjia ka ndryshuar mënyrën tonë të perceptimit, fotografia artistike mbetet si një dritare e lirë e mendimit dhe ndjenjës njerëzore.

Ekspozita Fokus 16 pritet të udhëtojë në disa vende të Ballkanit, si dhe në Itali e Spanjë, duke vijuar rrugëtimin e saj përtej kufijve të Shqipërisë.

Top Channel