Armëpushimi në Gaza, Eurovision pezullon votimin për pjesëmarrjen e Izraelit në garë

13/10/2025 20:15

Organizatorët e Festivalit të Këngës Eurovision njoftuan të hënën se takimi online i planifikuar për në nëntor për të votuar mbi pjesëmarrjen e Izraelit nuk do të mbahet, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

Austria, që do të presë konkursin e vitit 2026 në Vjenë, kishte bërë thirrje që vendet pjesëmarrëse të mos bojkotonin garën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, pavarësisht shqetësimeve lidhur me konfliktin dyvjeçar në Gaza.

Eurovision ka qenë në qendër të polemikave këtë vit, me disa vende që kishin paralajmëruar të tërhiqeshin nëse Izraeli merrte pjesë. Transmetuesi shtetëror austriak, që do të organizojë konkursin, e mirëpriti vendimin e organizatës evropiane të transmetuesve publikë, EBU.

Sipas deklaratës së EBU-së, “Këshilli ra dakord që çështja të përfshihet në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të Dimrit, e cila do të mbahet në dhjetor”, duke zëvendësuar takimin e jashtëzakonshëm online të planifikuar për në nëntor. Për shkak të “zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme”, Këshilli Ekzekutiv vendosi që diskutimi mbi pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision 2026 të zhvillohet personalisht midis anëtarëve.

EBU nuk ka dhënë detaje se kur mund të mbahet votimi për pjesëmarrjen e rrjetit izraelit KAN, duke njoftuar se informacioni i mëtejshëm do të publikohet në javët në vijim.

Top Channel