Përdorimi i telefonit në errësirë totale mund të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit?

12/10/2025 08:50

Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë për një rrezik serioz që shumë njerëz e injorojnë: përdorimi i telefonit në errësirë totale gjatë natës mund të dëmtojë rëndë sytë, madje në raste ekstreme të çojë edhe në humbje të përhershme të shikimit.

Një mjek okulist ka shpjeguar se personat që kanë një ndërtim të veçantë të syrit, të quajtur “kënde të ngushta” (narrow angle chambers), janë më të ekspozuar ndaj këtij rreziku. Kur ndodhemi në errësirë, bebëza e syrit zgjerohet për të lejuar më shumë dritë të hyjë — por në disa individë, kjo zgjatje mund të bllokojë rrjedhjen natyrale të lëngut brenda syrit.

Si pasojë, rritet presioni i brendshëm i syrit, duke shkaktuar një gjendje të quajtur glaukomë akute me mbyllje të këndit, e cila mund të dëmtojë nervin optik brenda disa orësh. Pa trajtim të menjëhershëm, dëmtimi bëhet i pakthyeshëm dhe shikimi nuk mund të rikuperohet më.

Mjekët theksojnë se një nga faktorët kryesorë që nxit këtë gjendje është ndriçimi i fortë i ekranit të telefonit në një ambient tërësisht të errët.

Ky kontrast i fortë mes dritës dhe errësirës i shkakton syrit stres të menjëhershëm, duke e ekspozuar ndaj dëmtimeve të mundshme.

Ekspertët japin një këshillë të thjeshtë, por thelbësore:

Mos përdorni telefonin në errësirë totale. Sigurohuni që në dhomë të ketë një burim të lehtë drite — si një llambë nate ose ndriçim ambienti. Kjo ndihmon syrin të mos përjetojë ndryshime të papritura të dritës dhe redukton ndjeshëm rrezikun për dëmtime.

Shikimi është shumë më i vlefshëm se çdo postim apo video në internet

-theksojnë mjekët, duke apeluar për kujdes të shtuar në mënyrën si përdoren pajisjet elektronike gjatë natës./ TAR

 

Top Channel