
Zbulohet një bazë kriminale në lagjen “Kastriot”, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontigjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.
Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Si rezultat i kësaj pune, u lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht Milasim Ramaj, 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
Njoftimi i plotë:
Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale.
Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;
-1 armë zjarri pistoletë;
-1 armë zjarri pistoletë automatike;
-2 silenciatorë;
-9 karikatorë automatiku;
-3 karikator pushke;
-2 krehra pistolete;
-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel