Haaland “shkatërron” Izraelin me tripletë, Norvegjia drejt kualifikimit historik, Italia rrezikon të humbasë sërish Botërorin

11/10/2025 20:14

Norvegjia nuk ndalet dhe e bën edhe më të vështirë rrugën e Italisë drejt Botërorit 2026.

Në një mbrëmje ku gjithçka funksionoi në mënyrë perfekte për skuadrën skandinave, Erling Haaland udhëhoqi një fitore spektakolare 5-0 ndaj Izraelit, duke shënuar tregolëshin e radhës dhe duke çuar ekipin e tij në 18 pikë të plota, me gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje në Grupin K.

Edhe pse e nisi me një penallti të humbur, Haaland shpërtheu me tre gola, duke u bërë edhe një herë protagonisti absolut. Dy autogola të Izraelit dhe dominimi total i Norvegjisë bënë që ndeshja të ishte pa histori.

Kjo fitore e fuqishme i jep Norvegjisë jo vetëm kreun e grupit, por edhe një diferencë golash +26, duke i bërë praktikisht të paarritshëm për Italinë, që shpresonte të luftonte për vendin e parë dhe kualifikimin direkt.

Për Italinë, situata bëhet shqetësuese, pasi përplasja direkte me Norvegjinë tashmë duket se nuk mjafton për të përmbysur gjithçka. Azzurrët janë të detyruar të fitojnë çdo ndeshje të mbetur dhe të shpresojnë për një hap fals nga skandinavët – një skenar gjithnjë e më i pamundur.

Ndërkohë, Izraeli ndalet në 9 pikë dhe rrezikon të dalë jashtë garës për vendin e dytë, teksa tensioni në sfidën e zhvilluar në Oslo nuk mungoi as jashtë fushe – me flamuj palestinezë në tribuna dhe protesta politike që shoqëruan takimin.

Top Channel