Brazili me 5 yje, talenti i Chelseat dhe sulmuesi i “harruar” i Realit i japin fitoren e thellë Ancelottit në miqësoren me Korenë e Jugut

10/10/2025 17:29

Brazili dhuroi një paraqitje mbresëlënëse në fitoren 5-0 ndaj Koresë së Jugut në një ndeshje miqësore të zhvilluar të premten në “Seoul World Cup Stadium”.

Talenti 18-vjeçar Estevao dhe ylli i Real Madridit, Rodrygo, shënuan nga dy gola secili, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje bindëse.

Nën drejtimin e trajnerit italian Carlo Ancelotti, që mori drejtimin në maj pas një fushate të vështirë kualifikuese, Brazili tregoi një futboll sulmues me presing të lartë dhe tranzicione të shpejta. Formacioni me katër sulmues dhe vetëm dy mesfushorë rezultoi efektiv ndaj një Koreje që nuk arriti të ndalojë ritmin brazilian.

Golat u shënuan nga Estevao (13’, 47’), Rodrygo (41’, 50’) dhe Vinicius Jr (77’), ndërsa Casemiro pati një gol të anuluar për pozicion jashtë loje. Me këtë fitore, Brazili regjistroi fitoren e tretë në pesë ndeshje nën Ancelottin.

Rodrygo, pas ndeshjes, theksoi rëndësinë e disiplinës dhe intensitetit që kërkon trajneri italian: “Të gjithë mbrojmë, të gjithë ndihmojmë… dhe sulmi nis të funksionojë. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për paraqitjen time.”

Brazilia përballet me Japoninë të martën në një tjetër miqësore përgatitore për Kupën e Botës 2026 që do të mbahet në Amerikën e Veriut.

Top Channel