Video/ Autogol qesharak dhe gafë skandaloze, “hije” trukimi në ndeshjen vendimtare të ekipit afrikan që kërkon kualifikimin historik në Botëror

09/10/2025 10:47

Kepi i Gjelbër është shumë pranë një kualifikimi historik në Kupën e Botës 2026 dhe pritet të jetë një nga surprizat e turneut. Por festa e madhe u shty, pasi ekipi u ndal në një barazim 3-3 ndaj Libisë – një ndeshje e mbushur me episode qesharake, dramatike dhe tashmë edhe dyshuese.

Momentet më të bujshme nisën që në sekondat e para, kur mbrojtësi Pico Lopes shënoi një autogol të pabesueshëm, duke futur topin në rrjetën e tij pa presion. Por ajo që i habiti të gjithë ndodhi në minutën e 76-të: me Libinë që kryesonte 3-1 dhe gjithçka dukej e mbyllur, një krosim i pafajshëm i Sidny Cabral kaloi përmes këmbëve të portierit libian Al Wuheeshi dhe përfundoi në rrjetë – një gafë që mund të hyjë në historinë e futbollit për nga absurditeti.

Ky gol hapi ndeshjen, dhe miqtë nga Kepi i Gjelbër barazuan vetëm pak minuta më vonë, duke ndezur shpresat për një përmbysje të pabesueshme.

Dramën e vërtetë e solli minuta e 96-të, kur pas një kundërsulmi katër kundër një, Kepi i Gjelbër shënoi golin e fitores – që do ta çonte direkt në Botëror. Por gjyqtari e kishte ndalur aksionin për pozicion jashtë loje, ndonëse pamjet treguan se lojtari ishte në kufi me vijën mbrojtëse. Meqë nuk ka VAR në kualifikueset afrikane, vendimi mbeti në fuqi.

Rezultati ndezi jo vetëm polemika për arbitrimin, por edhe aludime për trukim, pas gabimeve të pafalshme në mbrojtje dhe portë nga Libia. Asnjë provë nuk ka ende, por rrjetet sociale janë përfshirë nga diskutimet.

Nëse Kameruni nuk do të kishte fituar ndaj Mauritiusit, Kepi i Gjelbër do të ishte kualifikuar që mbrëmë. Por me fitoren 0-2 të “Luanëve të pamposhtur”, gjithçka do të vendoset në takimin e fundit.

Kepi i Gjelbër do të përballet me Eswatinin të hënën, ndërsa Kameruni pret Angolën. Vetëm vendi i parë i grupit siguron kualifikim të drejtpërdrejtë në Botërorin 2026.

Top Channel