
Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, ka paraqitur një plan të detajuar 60-ditor për reagimin humanitar në Gaza, në sfondin e njoftimit të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, sipas planit të paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Z. Fletcher e përshkroi këtë moment si “një ditë shprese dhe mundësie”, duke theksuar se plani i Trump “duhet të jetë baza për të shpëtuar dhjetëra mijëra jetë”.
Ai prezantoi një paketë masash që përfshin sigurimin e ushqimit për 2.1 milionë njerëz, rikthimin në funksion të sistemit shëndetësor të dëmtuar, furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime për 1.4 milionë banorë, si dhe një fushatë të gjerë strehimi dimëror.
Fletcher renditi dhjetë kushte për suksesin e planit, mes të cilave hyrja e karburantit dhe gazit, funksionimi i korridoreve humanitare, mbrojtja e punonjësve të ndihmës dhe financimi i plotë i planit, duke theksuar se aktualisht është siguruar vetëm 28% e 4 miliardë dollarëve të kërkuar në kuadër të “Flash Appeal 2025”.
Në konferencë për shtyp, Fletcher konfirmoi se OKB-ja, UNRWA dhe organizatat joqeveritare janë mobilizuar plotësisht për zbatimin e marrëveshjes, duke nënvizuar se “bllokada e Gazës duhet të hiqet” për të garantuar qasje të papenguar humanitare.
Ai shtoi se planifikon të vizitojë personalisht Gazën dhe se OKB-ja mban dialog të vazhdueshëm me autoritetet izraelite për kalimin e sigurt dhe të shpejtë të ndihmave.
I pyetur nëse Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar që OKB-ja të drejtojë operacionin humanitar, Fletcher tha se plani 20-pikësh përfshin “një referencë të qartë për rolin qendror të OKB-së në menaxhimin e reagimit humanitar”.
Sipas tij, “e gjithë familja e OKB-së është mobilizuar për t’u përgjigjur, ndërsa UNRWA mbetet e pazëvendësueshme. Po ashtu, ne mbështetemi te partnerët e OJQ-ve dhe sektori privat, sepse shpëtimi i jetëve në këtë shkallë kërkon një përpjekje kolektive masive”.
Fletcher paralajmëroi se “elementët ekstremistë në të dyja palët” mund të përpiqen të pengojnë procesin, por u shpreh optimist se mbështetja e gjerë ndërkombëtare për planin e Presidentit Trump dhe angazhimi i ministrave të jashtëm do t’i zbehin këto përpjekje.
“Ne kemi përvojën, vullnetin dhe detyrimin për të shpëtuar jetë në një shkallë të gjerë,” tha Fletcher. “Për ata që humbën gjithçka dhe për ata që punuan për të shpëtuar të tjerët, ne duhet të veprojmë dhe do ta bëjmë.”
Top Channel